Para disa ditësh, DurrësLajm njoftoi se në bregdetin e Currilave, deti nxorri në breg një breshkë uji të ngordhur. Nuk dihen arsyet e ngordhjes së krijesës ujore, pasi kjo mund të ketë ndodhur për shkak të gjuetisë me dinamit në zona të largëta të bregdetit dhe rrymat detare e kanë sjellë deri këtu, breshka mund të jetë përplasur me elikën e ndonjë mjeti detar, ose ngordhja i është shkaktuar nga ndotjet e ujërave në zona të caktuara të detit Adriatik.

Breshka ka përfunduar në breg dhe fillimisht ka tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës, por më pas, prania e saj aty ka nisur të kthehet në problem. Kjo për shkak se breshka ka nisur të dekompozohet në breg.

Mendohet që breshka ka ngordhur disa ditë para se të dilte në bregdetin e Durrësit.

Po ajo që të bën përshtypje është se breshka e dekompozuar ka ndenjur me ditë në breg dhe era e rëndë që vjen nga procesi i dekompozimit ka shqetësuar banorët e kësaj zone, që bëjnë shëtitje aty thuajse në çdo orë të ditës.

Do ishte mirë që për raste të tilla të ndërhyhej nga ndërmarrjet përkatëse për të hequr breshkën e dekompozuar. Një bregdet sa më atraktiv dhe sa më i pastër duhet të jetë qëllimi kryesor i organeve të pushtetit vendor, tashmë që sezoni turistik ka nisur.

K.H.