Tre anije të specializuara me 734 kontejnerë gjithsej janë ankoruar pranë portit të Durrësit gjatë 24 orëve të fundit.

Në kalatën 6 të portit që nga mbrëmja e kaluar po përpunohet anija “Tongan II” me 263 kontejnerë gjithsej, ndërsa dy anije të tjera presin radhën e përpunimit në radën portuale të Durrësit.

Anija “Toto BR” me 239 kontejnerë në bord është ankoruar në radë sot në orën 4.00 të mëngjesit, ndërsa dy orë më vonë është ankoruar edhe anija “Page Akia” me 232 kontejnerë gjithsej.

Gjatë periudhës janar-maj të këtij viti anijet e specializuara tregtare kanë transportuar nga/drejt portit të Durrësit 43.556 kontejnerë TEU gjithsej-bëhet e ditur nga Qendra e Informacionit në APD.

Anijet e kontejnerëve në/nga Durrësi vijnë ose i drejtohen kryesisht porteve të specializuar në Gioia Tauro (Itali), në Maltë dhe Kastiglione (Spanjë).