Një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore të Rumanisë ka rrëzuar një dron rus mbi Detin e Zi, në incidentin e tretë të këtij lloji brenda pak ditësh. Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore rumune, pjesë e territorit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, droni u neutralizua rreth 12 kilometra në verilindje të qytetit bregdetar Sulina, mbi ujërat territoriale rumune.

Autoritetet bënë të ditur se nuk pati rrezik për banorët e zonës.

Presidenti rumun Nicușor Dan e cilësoi situatën të papranueshme, duke kërkuar koordinim të ngushtë me aleatët përballë shkeljeve të vazhdueshme të hapësirës ajrore. Sipas tij, këto incidente prekin drejtpërdrejt sigurinë e një vendi anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Rumania, e cila ndan një kufi tokësor prej rreth 650 kilometrash me Ukrainën, është përballur disa herë me hyrje të paautorizuara të dronëve rusë që prej nisjes së luftës. Sulmet ndaj porteve ukrainase pranë lumit Danub kanë shtuar rrezikun e incidenteve pranë kufirit rumun.

Me rrëzimin e fundit, numri i dronëve rusë të neutralizuar nga Rumania ka arritur në tre. Dy raste të tjera janë regjistruar gjatë ditëve të fundit, ndërsa hetimet për disa prej tyre vijojnë.

Autoritetet rumune kanë bërë të ditur se droni i rrëzuar më herët ishte i tipit Shahed, një model i përdorur gjerësisht nga forcat ruse. Ministria e Jashtme e Rumanisë ka thirrur ambasadorin rus në Bukuresht për sqarime mbi shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore.

Edhe NATO ka nisur verifikimet për incidentin e fundit, ndërsa Aleanca po forcon kapacitetet e mbrojtjes ajrore në rajon. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë regjistruar 33 raste të hyrjes së dronëve rusë në hapësirën ajrore rumune.

Ndërkohë, ushtria rumune vijon monitorimin e zonës së Detit të Zi, ku sulmet ruse ndaj rajonit të Odesës kanë rritur tensionet pranë kufijve të NATO-s.