Ujësjellës Kanalizime Durrës pritet të garantojë një situatë më të mirë të furnizimit me ujë të pijshëm për zonën turistike. Aktualisht në zonën e plazhit nga Ura e Dajlanit deri në Plepa është duke u kryer faza përfundimtare për vendosjen në punë të rrjetit të ri të ujit të pijshëm. Gjatë muajit qershor pritet që ndërmarrja e ujësjellësit të realizojë lidhjen e çdo banese, biznesi si dhe pallateve të shumta me këtë rrjet duke instaluar kasetat kolektive.

Koordinatorja e projektit Stela Nenada, është shprehur se faza e parë e investimit ka mbaruar vitin e kaluar me shtrirjen e 7.5 km linjë si dhe instalimin e 108 kasetave kolektive. Zyrtarë të ujësjellësit të Durrësit shprehen se gjatë këtij muaji pritet të vihet në punë edhe linja e re e furnizimit me ujë nga Çerma e Lushnjes e cila do të shtojë sasinë e ujit për zonën turistike të Plazhit.

Megjithëse sezoni turistik sapo ka filluar, Ujësjellës Kanalizime Durrës kërkon mirëkuptimin e banorëve të zonës për kryerjen e punimeve në këtë periudhë.

Investimi në fjalë pritet t’iu shërbejë rreth 21 600 banorëve rezidentë gjatë gjithë vitit, por në muajt e verës popullsia shtohet ndjeshëm për shkak të turistëve të shumtë që vijnë nga vendet e rajonit dhe bota. Investimi në total duke përshirë ndërtimin e rrjetit të ri shpërdarës si dhe lidhjen e objekteve me këtë rrjet ka vlerën e 170 milionë lekëve të rinj.