Kreu i PD Durrës, Ferdinand Xhaferaj, përmes një postimi në rrjete sociale ka reaguar ndaj disa shkrimeve në media, të cilat e komentuan shfaqjen e tij në krah të kandidatit Shehaj në takimin në qytetin bregdetar si mbështetje për rivalin e Lulzim Bashës.
Në statusin e tij, Xhaferaj shkruan se detyra e tij, por edhe formimi i tij e bëjnë që të jetë në krah të çdo kandidati në garë dhe për të garantuar një PD të bashkuar pas 13 qershorit.
“Detyra institucionale si kryetar i PD Durrës, vlerat e qytetit që përfaqësoj, shkollimi im si dhe eksperienca politike, më cojnë të jem në krah të cdo kandidati i cili vjen në emër të Partisë Demokratike.
Garat dhe respektimi i cdo aspekti të tyre janë jo vetëm kusht për një demokraci funksionale, por edhe thelbësore për të garantuar një PD më të fortë dhe më të bashkuar pas 13 Qërshorit”,- shkruan Xhaferaj.
Kreu i degës lokale, së bashku me nënkryetarin Arlind Boshku, u shfaqën ditën e premte në krah të Shehajt, gjatë takimit që ky i fundit zhvilloi me demokratë të Durrësit. Ndërkohë një gjë e tillë nuk u pa ditën e enjte, kur kandidati tjetër në garë, Fatbardh Kadilli shpalosi manifestin e tij politik para demokratëve të qytetit bregdetar.





