Edhe këtë vit shumë djem dhe vazja shqiptare mund t‘i gëzohen një bursë studimi ose trajnimi në Gjermani.
Dje, në një ceremoni në Ambasadën Gjermane, u bë dorëzimi i bursave të Shërbimit Gjerman për Shkëmbimin Akademik (DAAD).
Këtë vit vetëm DAAD akordoi më shumë se 30 bursa – për studime Master apo Doktorature si dhe kurse verore të gjuhës profesionale pranë universiteteve gjermane, në të cilat studentët mund të perfeksionojnë njohuritë e tyre të gjuhës gjermane.
Referentja e Kulturës Christiane Wolters, përgëzoi të gjithë bursantët, të cilët ia dolën të përzgjidheshin përkundrejt aplikuesve të shumtë.
“Shqipëria ka nevojë pikërisht për njerëz si ju: të motivuar, të arsimuar më së miri me njohuri gjuhësh të huaja dhe përvojë jashtë shtetit.”-tha ajo.
DAAD-i është organizata më e madhe në botë për shkëmbimin shkencor. Që prej fillimit të viteve '90 DAAD-i ka mbështetur disa mijëra shqiptarë jo vetëm me bursa, por edhe në kuadrin e projekteve të ndryshme në fushën e arsimit të lartë.
Më shumë informacione mbi punën e DAAD-së në Shqipëri dhe programeve të bursave mund të gjeni këtu: http://www.daad-al.org/ dhe https://www.daad.de/laenderinformationen/albanien/de/