Zaptimi i hapësirave përrreth tregut nga tregtarë ambulantë tërësisht ilegalë, ka detyruar 300 tregtarë të licencuar të fruta-perimeve në Durrës të hidhen në një protestë duke bllokuar punën.

Në këtë fillim javë, tregtarët e licencuar të tregut të vetëm në Durrës, ngritën një sërë shqetësimesh karshi bashkisë së qytetit, së cilës i paguajnë taksat dhe detyrimet rregullisht që kanë të bëjnë kryesisht me konkurrencën e pandershme.

Tregtarët ambulantë të palicencuar shesin jashtë tregut me çmime më të ulëta duke prishur konkurrencën e lirë. Tregtarët e ndershëm kanë bërë me dije se nuk do të paguajnë asnjë taksë për muajin shkurt ndaj bashkisë së Durrësit e cila nuk po merr asnjë masë konkrete ndaj problemeve të tyre. 

Tregtarët shprehen se struktura e policisë bashkiake që ka për detyrë të menaxhojë mbarëvajtjen e tregut po lejon tregtarët e palicencuar që të shesin në rrugë e trotuare, duke sfiduar më mënyrë të hapur tregtarët brenda tregut. Ata theksojnë se një pjesë e tregtarëve që shesin në rrugë kanë qenë brenda tregut, ndërsa brenda tregut ka shumë vende bosh, por që nuk shfrytëzohen. Kjo situatë ka sjellë probleme edhe në vendet hyrëse të tregut, si dhe për furnizimin që tregtarët bëjnë gjatë orëve të mëngjesit. Ata kanë kërkuar takim me kryebashkiakun Dako, të cilin e fajësojnë drejtpërdrejt për situatën e krijuar, por nuk kanë mundur të marrin një përgjigje, pasi disa prej tyre u shoqëruan për në polici.

K.H.