*Ministrja Ekonomi: “Biofest 2017”, të kthehet në event të përvitshëm!
Në Shijak është zhvilluar sot për herë të parë aktiviteti “Biofest 2017”, një panair i prezantimit të pasurisë etnografike, mjeshtërisë artizanale, kulinarisë dhe agrobiznesit të Shijakut, një zonë e rëndësishme sociale me mundësi zhvillimi social dhe ekonomik.
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,Milva Ekonomi, u tha pjesëmarrësve gjatë këtij aktiviteti që këtë event ta kthejnë në një ngjarje të përvitshme, të bëhet traditë dhe të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj.
Ministrja Ekonomi tha se njerëzit kudo në Shqipëri, në çdo zonë, kanë nevojë të mblidhen në panaire si ky, të tregojnë arritjet e fermave të tyre, produktet e artizanatit, kulinarisë, dhe të diskutojnë si të bëjnë gjëra edhe më të mira dhe më të bukura, vitin që vjen.
Duke folur për bujqësinë, profesion me të cilin merret kryesisht kjo zonë, Ekonomi tha se vëmendja e qeverisë për bujqësinë është shtuar, sipërfaqja e tokave që ishin nën ujë është dyfishuar, dhe kemi më shumë produkte bujqësore e blegtorale, ndërsa shtoi se TVSH e inputeve bujqësore do të zerohet në mandatin e ardhshëm.
Duke iu referuar turizmit, ministrja përmendi rezultatet pozitive në sektor, duke thënë se “numri i turistëve që vizituan Shqipërinë vitin e kaluar ishte 15 % më i lartë se një vit më parë, ose rreth 4.2 milionë turistë kanë vizituar vendin, disa prej të cilëve kanë ndaluar dhe këtu te ju, pasi ju keni prodhues shumë të mirë vere, keni bioferma që japin produkte të vogla me cilësi të madhe”. Ajo tha se shteti do të jetë pranë për t’i mbështetur.
Një mbështetje e madhe ishte dhe ulja e TVSH-së për strukturat akomoduese nga 20% në 6%, duke e bërë vendin tonë të krahasueshëm me vendet e tjera të Ballkanit në sektorin e turizmit.
Ministrja u tha banorëve se duhet t’i ruajnë këto tradita të mira që kanë dhe vitin tjetër të vijnë me produkte të reja dhe risi turistike.
Eventi vazhdoi me aktivitete të larmishme kulturore.