Nga Pirro Dollani
“Uroj ta kaloni sa më qetë në atë vend të çudirave!”
Ky ishte mesazhi telegrafik që mora nga një ish-nxënësja ime që jeton përtej Adriatikut për mëse dy dhjetëvjeçarë. Vërtet m’u përkëdhel sedra kur ky urim m’u shfaq në ekranin e celularit sot në mëngjes. Si me magji, m’u largua dhimbja e kokës dhe u ndjeva aq mirë sa u hodha nga shtrati, vesha tutat dhe si një adoleshent vrapova drejt bregut të detit, përgjatë rrugës së Vollgës, në qytetin tim të bukur: Durrës.
Meqë nuk kam marrë miratimin e ish-nxënëses sime për t’ia përmendur emrin këtu në “mexhlis”, po e quaj thjesht GRETA, pasi ajo është e bukur shpirtërisht e fizikisht, saqë edhe Garbo-ja e vërtetë do t’ia lakmonte bukurinë. Sapo arrita afër bregut, në atë shëtitore që mbushet plot njerëz si një fushë e begatë me lule, dhe po i gëzohesha valëve të detit, dëgjova britmën e një vajze që më kumboi në vesh si të ishte bori lufte: “Hej, hej, hap sytë se do të biesh!!!” Ndalova në vend, flokët më ishin ngritur përpjetë, fytyra më kishte marrë një pamje të egërsuar. Si guxonte kjo çupëlinë të më drejtohej sikur të isha një hiç? “Hej, hej. . . hap sytë…” Po bëhesha gati të hapja ato fletë fjalori që i përdor rrallë, shumë rrallë, kur shikimi m’u ndal një hap para këmbëve të mia, te një gropë goxha e madhe. Nëse s’do të ishte ajo “Hej, hej. . .” ndoshta tani do të ndodhesha i gjymtuar, i futur në allçi, në sallën e operacionit në atë palo spital të qytetit tim, me ato mjekë që në vend të merreshin me gjymtimet, së pari, do të “ekzaminonin duart”. . . dhe përnjëherësh e vështrova atë vajzë si të ishte engjëlli im! Të falemnderit moj bijë! Kurrë s’më kishin dëgjuar veshët ndonjëherë muzikë më hyjnore se “hej, hej-i” i saj. Ia ngula sytë dhe ai “hej, hej” dhe ajo vajzë më shëmbëlleu me atë MARGHERITA-n e Riccardo Cocciante-s. E falënderova dhe vazhdova të ec në shëtitore, jo më për të soditur detin, apo të përshëndesja ndonjë të njohur, por mbaja kokën poshtë, për të parë se ku shkelja. Dhe, për çudinë time të madhe, kurrë në këto vite që jetoj jashtë vendit tim, nuk kam parë kaq pisllëk, duket se e kam mbajtur kokën përpjetë kur kam ardhur për pushime! Punëtoret e pastrimit, me ato fshesat e tyre të epokës së gurit, ende nuk kishin filluar punën. Ishte 5:40 e mëngjesit! Ecja e vështroja gjithandej: nga fillimi i shëtitores së Vollgës e deri në fund, pas hotel “Aragostës” nuk pashë asnjë kosh plehrash!!! (Besoj se Durrësi duhet te jetë unikal në këtë gjë!!! Në Pogradec në çdo disa metra ka kosha plehrash, kosha për riciklim.) Ecja dhe ja, aty sapo kalova Pistën, përballë meje m’u shfaqen dy gropa të tjera! Qytetarët ecin të qetë, pa u bërë përshtypje fare, të mësuar, (siç janë mësuar me poshtërimin, mjerimin, talljen, premtimet boshe nga të gjithë politikanët!) dhe pa menduar se aty mund të bjerë një fëmijë apo i moshuar e të mbesë ulok përjetë!
Vazhdoja të ecja me kokën poshtë. Sa kalova pistën, ai gji i vogël ku bëjnë banjë plot durrsakë, ishte i mbushur me kodra lesh-teriku. Askund nuk dukej më deti! Leshterikë, leshterikë gjithandej! Pyetja e parë që do të bënte çdo i huaj do të ishte: A ka pushtet lokal ky qytet që të merret me pastrimin, rregullimin apo edhe pushtetarët lokalë e kanë braktisur qytetit si mijëra e mijëra të rinj që largohen çdo vit? Vazhdova të ec dhe sapo kalova Sfinksin, u gëzova kur pashë që rëra ishte pastruar. Epo ja dhe drita në fund të tunelit!!! Vazhdova të ec, sapo kalova hotel “Aragosën”, aty në fund, ishte krijuar një mal i madh me pisllëqet të mbledhura nga pastrimi i rërës dhe një punëtor, sapo mbaroi së mbushuri karrocën e dorës dhe filloi ta shtyjë. . . drejt detit! Ndalova duke mos qenë i aftë mendërisht të përcaktoja se çdo të bënte më tej. Kur ai sapo futi karrocën pak në ujë e kthehu përmbys dhe të gjithë plehrat u përhapen në ujë! Jo, jo, thashë me vete, ky duhet të jetë ndonjë haluçinacion imi. Ndalova. Ai u kthye te mali i plehrave dhe, si të ishte një punëtor që punonte për vitin 2456, e mbushi shpejt e shpejt karrocën dhe u drejtua drejt detit. E përmbysi karrocën përsëri e përsëri dhe barërat, leshterikët, plehrat, letrat, gurët, etj. filluan të pluskonin ca mbi ujë e ca nën të. Kujtova se kisha arritur te drita në fund të tunelit, por ajo s’ishte dritë, por treni që po vinte drejt plazhit! Iu afrova këtij punëtori, që me siguri po të ishte koha e HOXHËS, do ta kishin bërë Hero të Punës Socialiste, pasi punonte pa pushim. Me shumë mirësjellje i thashë ‘Mirëmëngjes e Puna e mbarë’. Ai burrë, le ta quajmë, Saimir, pra, Saimiri m’u përgjigj po me aq dashamirësi, saqë më bëri për vete. I thashë, a mund ta bëj një pyetje? Po si jo,- u përgjigj buzagaz. A mund të të pyes se pse i hedh plehrat në ujë? Ai: pse ku t’i hedh? Unë: nuk e di, po a mendon se kështu ndotet deti? Ai: po mor po, po unë jam punëtor dhe bëj çfarë më thonë. Ata të Bashkisë, vazhdoi Saimiri, nuk kujdesen për pastrimin e bregut dhe pronarët e hoteleve s’kanë makina që t’i marrin e t’i hedhin diku tjetër. . .
E falënderova për mirësjelljen, u largova, dhe në mendje m’u kujtua urimi i Gretës: “Uroj ta kaloni sa më qetë në atë vend të çudirave.” Në Shqipërinë tonë, urimi yt, moj e mira Gretë, do të mbesë gjithnjë në kufijtë e një dëshirë të përhershme. Çurçilli ka një thënie të mrekullueshme: “Unë jam optimist, sepse asgjë tjetër s’ka asnjë vlerë e kuptim!” Por të siguroj, se po të jetonte në këtë vendin tonë të bekuar nga Perëndia, por të banuar nga ne shqiptarët, zor se do të ishte optimist! Nëse nuk të duken bindëse këto fjalët e ish-mësuesit tënd, hidhi sytë nga Shqipëria, dhe shiko pushtetarët, politikanët e këtyre 27 vjetëve, që për vete e familjet e tyre kanë ndërtuar Amerikën, ndërsa popullin e thjeshtë, intelektualët, mësuesit, nëpunësit e dikurshëm i kanë lënë në mjerim, me ca pensione që s’mund të jenë në gjendje të jetojnë me dinjitet edhe këto pak vite që i kanë mbetur për të jetuar. Të uroj një ditë të qetë Greta, në atë botë të lirë ku për njerëzit e punës mundësitë janë pa kufi!