Trualli dhe ndërtesa e ish-universitetit “Kristal” kanë dalë për shitje përmes ankandit.

Është shoqëria përmbarimore Zike, ajo që për llogari të bankës “Credins” ka bërë shpalljen e ankandit, teksa kompania “Kristal” nuk ka shlyer një kredi aftagjatë, edhe pas ristrukturimit të saj.

Në shitje ka dalë një pasuri arë me sipërfaqje 1866 metra katrorë, me një çmim fillestar prej 8.1 milionë lekësh, sipas vlerësimit të ekspertit.

Prona e dytë, me vlerë të lartë është pasuria truall + ndërtesë, ku trualli ka një sipërfaqe prej 4 mijë metra katrorë dhe ndërtesa 625 metra katrorë. Çmimi me të cilin fillon ankandi është rreth 122 milionë lekë.

Në total, çmimi i të dy pronave është rreth 130 milionë lekë, apo rreth 950 mijë euro.

Data e fundit e ankandit është 5 qershori.

Rritja dhe rënia e univesitetit “Kristal”

Universiteti privat “Kristal” ishte një ndër më të mëdhenjtë privatë në vend, deri në vitin 2013, kur atij iu hoq licenca nga Ministria e Arsimit, së bashku me 17 shkolla të tjera të larta jo publike, për mospërmbushje të standardeve të arsimdhënies. Për vitin 2013, shkolla kishte deklaruar të ardhura prej 4.5 milionë eurosh, duke u renditur e treta, pas “Albanian University” dhe “UET”.

Në shtator të vitit 2014, kompania pezulloi statusin e saj, ndërsa ka qenë vazhdimisht në radarin e përmbaruesve, për detyrimet e shumta që kishte, shkruan “Monitor”.