Në kuadër të ditës ndërkombëtare të fëmijëve jetimë, shoqata “Shpresa e Jetimëve” në qytetin e Durrësit ka organizuar një aktivitet me moton “Toka e zemrave”, duke shënuar edicionin e tretë rradhazi. Ky organizim mbështetet nga Komiteti i bashkuar i Kuvajtit, të cilët janë donatorët kryesorë e mbështetës për fëmijët jetimë, si dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Për të tretin vit rradhazi, kjo shoqatë sjell në vëmendjen e të gjithëve se çdokush duhet të sensibilizohet e t’u vijë në ndihmë sadopak kësaj shtrese. e cila më shumë se kushdo ka nevojë për mbështetje, për t’u ndjerë e barabartë, sit ë gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

Valbona Medani, anëtare e kësaj shoqate, u shpreh se në qytetin bregdetar janë mbi 200 familje me fëmijë jetimë e fokusi i këtij takimi është sensibilizimi dhe mbështetja për këtë kategori popullsie.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm figura të shquara publike, përfaqësues të komuniteteve fetare, pedagogë etj, të cilët së bashku dhanë mesazhe sensibilizuese, mbështetëse dhe motivuese.

Për fëmijët jetimë ishte organizuar një festë shumëngjyrëshe, me personazhet e animuara dhe një kokteil, ku fëmijët patën mundësi të argëtoheshin. Gjatë aktivitetit u ndanë pakot ushqimore dhe lodrat për fëmijët që ishin përzgjedhur për të marrë pjesë në këtë aktivitet.

Shoqata “Shpresa e Jetimëve” është shoqatë lokale, e cila po e kthen në traditë ditën ndërkombëtare të fëmijëve jetimë.

K.H.