Kryeministri Edi Rama u shpreh i habitur nga surpriza e grave në Elbasan, të cilat i kishin përgatitur kreut të qeverisë një parullë, ku shkruanin “We love you Edi Rama”. Ai nuk nguroi t’i falënderonte për gjestin, ndërsa theksoi se këtë surprizë as në ëndërr nuk e kishte parë. Teksa foli për rolin e grave në vendimmarrje në këto 3 vite e gjysmë qeverisë të së majtës, Rama theksoi se gjërat kanë ndryshuar për mirë.

“Mirembrëma, faleminderit për atë parrullë që nuk e kisha ëndërruar asnjëherë. Shumë faleminderit për praninë tuaj të jashtëzakonshme këtu. Nuk është hera e parë që vij në këtë teatër, se kemi bërë shumë takime. Kemi parë një rritje të konsiderueshme të grave dhe vajzave me PS. Kjo rrugë nisi 3 vite e gjysmë më parë, kur ne morëm qeverinë dhe u bë e mundur në 23 qershor të 2013. Nuk është se kemi bërë një mrekulli për të fuqizuar rolin e grave dhe të vajzave në vendimmarrje për të rritur aksesin e tyre në jetën publike për të arritur në atë barazi që duam në të gjitha nivelet. Por nga ana tjetër besoj që deri 4 vite më parë, nëse do thoshim që brenda mandatit të parë do kishim një qeveri ku 50 % janë gra dhe 50 % janë burra, sdo na besonin. Kjo qeveri rankohet ndër të parat në Europë, për barazi gjinore mes grave dhe burrave. Falë përpjekjes sonë dhe një angazhimi të bërë, ne arritëm që të imponojmë me ligj përfshijnë e grave dhe vajzave në Këshillat bashkiak”, tha Rama.