Punimet ecin me ritmin e breshkës, duhet të ishin mbyllur disa javë më parë!
Në javën e tretë të muajit maj, i cili konsiderohet muaji i hapjes së sezonit turistik në Durrës, përgatitjet për mikpritjen e pushuesve janë shumë larg pritshmërive.
Mikpritja e pushuesve nis nga përmirësimi i kushteve infrastrukturore e deri tek akomodimi i tyre në hotele e banesa, duke plotësuar elementet bazë të shërbimit.
Por gangrena e vjetshme në infrastrukturë ishte rruga e plazhit “Pavarësia”, e cila edhe këtë vit nuk është mbyllur. Pushuesit e parë kanë mbërritur por çfarë të shohin e çfarë të bëjnë në plazh ashtu si është katandisur e gjithë zona.
Punimet janë duke vazhduar, ndërsa akoma nuk është hedhur sipërfaqja e asfaltit, çka do të thotë se firma zbatuese e projektit po tallet në mënyrën më të turpshme me bashkinë e qytetit, e cila e ka kontraktuar dhe me qytetarët durrsakë dhe ata të zonës së plazhit.
Firma zbatuese e projektit të punimeve për rivitalizimin e plazhit, e cila fitoi tenderin prej 2.2 milionë euro, në kontratën e firmosur kishte afat punimesh 12 muaj. Punimet kanë nisur në muajin prill të vitit të shkuar, çka do të thotë se prilli i këtij viti duhet të presupozonte prerjen e shiritit e inagurimin e punimeve. Por në terren faktet flasin ndryshe.
Punimet jo që nuk janë mbyllur, por nuk dihet edhe sa do të zgjasin akoma ndërkohë që situata e krijuar ka kosto të rëndë mbi të gjithë biznesin e zonës, të cilët këto muaj prisnin për të punuar.
Durrësi tre muaj ka sezon veror, por edhe këto muaj që ia ka falur natyra të nxehtë, janë kthyer në të pashfrytëzueshëm, sepse persona të caktuar apo edhe institucione të caktuara, pse jo dhe qëllimisht, po i shkatërrojnë sezonin veror në mënyrë të përsëritur durrsakëve. Pikërisht punimet e stërpërsërituara, me kosto të lartë në xhepat e shqiptarëve janë shkak i largimit të pushuesve.
Rruga e prishur, pluhuri që ngrihet, gropat e hapura punimet që zhvillohen, janë një pasqyrë e mirë për të gjithë drejtuesit e pushtetit, e kryesisht ata që kanë përgjegjësi për turizmin, për atë çfarë po ndodh!
Turp i madh që industrinë më të madhe e më fitimprurëse të qytetit, me të cilën ushqehen mijëra familje, që nga misrapjekësi e deri tek hotelierët, e degraduan për interesa të të ngushta e të pisëta duke marrë në qafë mijëra familje që aty punësohen.