Minutat e fundit të lojës kanë qenë shumë të tensionuara në Gjirokastër. Pasi ishin duke përfunduar pesë minutat shtesë të akorduara, tifozët dhe futbollistët e Luftëtarit nisën të kontestojnë gjykimin. Pikërisht një goditje dënimi solli edhe golin e barazimit, disa sekonda pasi kishte përfunduar edhe koha e akorduar. I ashpër ishte edhe reagimi i mbështetësve në shkallët e stadiumit që u përkeqësua më tepër prej festimeve të lojtarëve durrsakë në afërsi të tribunës. Kjo shkaktoi një sherr mes lojtarëve, ku tifozët po hidhnin shishe dhe sende në drejtim të fushës, ndërkohë që trajneri Magani dhe ndihmësi i tij Dervishi u kundërpërgjigjën.

Nga ana tjetër, sulmuesi Magani pati një zënkë të ashpër me një lojtar të Luftëtarit, duke detyruar që të ndërhyjnë forcat e policisë dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e situatës. Skuadra mike u mbajt në dhomat e zhveshjes për më shumë se 30 minuta nga forcat e rendit, derisa të zbrazej i gjithë impianti prej të pranishmëve. Ndërkohë që nga dera kryesore pritej të dilte ekipi durrsak, policia u mundua të evitojë edhe një përleshje jashtë stadiumit, duke i nxjerrë futbollistët dhe stafin teknik të Teutës nga një derë “sekrete”. Polemika pa fund, acarime të kajshme, përplasje mes lojtarëve të dy skuadrave, por edhe ndonjë bidon uji në drejtim të Gugash Maganit. Kjo ka qenë atmosfera mbas përfundimit të ndeshjes Luftëtari-Teuta 1-1, ku goli i barazimit për durrsakët ka ardhur në minutën e gjashtë shtesë. Në fjalën e tij, trajneri peqinas i “djemve të detit” ka rekalmuar goditjen e tij nga tifozët gjirokastritë: “Unë kam pasur respekt për tifozët gjirokastritë, por në fundin e ndeshjes më kanë ofenduar dhe më kanë goditur. Përgjatë gjithë lojës janë marrë me mua dhe në fund më goditën.

"Nuk ka vonuar edhe përgjigjia zyrtare e klubit bluzi, që përmes faqes në Facebook ka nënvizuar: “Eshtë e vërtetë që pati një reagim, por, ndërkohë, tifozët e Luftëtarit kanë një vit që torturohen nga arbitrat dhe po protestonin ndaj tyre. Zotëria (Magani) ka humbur kontrollin, duke i goditur me shishe plastike dhe më pas tifozët e kthyen vëmendjen nga ai. Ndoshta e bëri për të vonuar lojën dhe kjo është taktikë e zgjuar, por ama edhe tifozët kishin respekt për ty, dhe ti e humbe. E mbi të gjitha, trajneri paguhet për të mos reaguar, jo më të godasë me shishe uji!”