Antonio Konte garantoi Çelsin se ai vetëm sapo e ka nisur punën e tij në “Stamford Bridge” dhe prej këtij momenti do të nisë ndërtimin e skuadrës së re, duke vazhduar të injorojë interesin që vjen nga Interi që kërkon ta rikthejë në Itali. Drejtori teknik i Çelsit, Majkëll Emenalo, do të takohet me trajnerin këtë javë dhe do të diskutojnë objektivat e merkatos së verës si Romelu Lukaku, Leonardo Bonuçi dhe Virgil Van Dijk.Klubi do të diskutojë edhe përmirësimin e financave të kontratës 3-vjeçare të teknikut (fiton 6 milionë paund në sezon dhe aktualisht i kanë mbetur edhe dy vite) dhe sipas “Mirror” oferta e re 4-vjeçare do dyfishojë rrogën e tij deri në 13 milionë paund në vit. I pyetur nëse ai mund të garantojë me 100% që do të jetë trajner i Çelsit edhe sezonin e ardhshëm, Konte u përgjigj kështu në prag të ndeshjes së sotme ndaj Uotfordit:

“Sigurisht që mund t’jua garantoj. Unë mendoj se ne sapo kemi nisur punën, kemi 9 muaj dhe duhet të përmirësohemi dhe gjejmë zgjidhjet e duhura sezonin e ardhshëm”. 47-vjeçari, i cili mund të bëjë dopietë këtë sezon, duke fituar edhe FA Cup, mendon se është e rëndë- sishme që të ruajë edhe yjet e skuadrës aktuale. Kjo do të thotë se Hazard, Kosta dhe Kurtua do të mbahen larg kthetrave të rivalëve.“Unë mendoj se klubi dëshiron të luftojë në çdo kompeticion. Ne kemi të njëjtën ambicie. Për këtë arsye do të përpiqemi të mbajmë lojtarët më të mirë”, ka thënë Konte. Megjithatë, trajneri kërkon edhe të afrojë njërin prej dy yjeve sikurse janë Aleks Sandro nga skuadra italiane e Juventusit dhe David Alaba nga skuadra e Bajernit të Mynihut.

Përpos kësaj, legjenda londineze Xhon Terri pritet të mbyllë karrierën 22-vjeçare me Çelsin, ndërsa Nethën Ejki mund të kërkojë një start të ri me një skuadër tjetër. Mbetet ende për t’u parë edhe situata me Diego Kostën, i shumëkërkuar nga klubi Tianxhin Kuanxhian. Kontrata e spanjollit është e vlefshme deri në vitin 2019, por situata me të ka qenë e paqëndrueshme, ndaj ende nuk dihet nëse do të vendoset një transfertë në klubin kinez ose jo.