Pas disa orësh në luftë me flakët është bërë e mundur shuarja e zjarrit në fabrikën e tullave në Maminas. Zjarri ishte aktivizuar prej paradites së kësaj të premteje, konkretisht në orën 11:15 sipas burimeve zyrtare.
Në një prononcim për mediat, shefi i Zjarrfikësve Durrës, Adriatik Velaj tha se dyshohet se shkak për zjarrin është bërë një shkëndijë elektrike.
“Duke menduar fabrikë, kemi dërguar direkt dy automjete, të cilat erdhën njëkohësisht me automjetet e Shijakut. Pastaj duke parë situatën kemi kërkuar përforcime të tjera, ku kanë mbërritur edhe dy grupe të tjera nga Durrësi dhe në ndihmë ka ardhur edhe Autoriteti Portual me dy mjete, Vora dhe Kombinati. Është ende herët për të folur për shkakun, diskutohet për një shkëndijë elektrike.” tha Velaj.
I pyetur lidhur me dëmin e shkaktuar në fabrikë, Velaj u shpreh se dëmi është i konsiderueshëm. Kujtojmë që një 57-vjeçar u lëndua nga situata e krijuar në fabrikë për shkak të zjarrit dhe u dërgua në Spitalin Francez Tiranë.





