Për herë të parë Ministria e Ekonomisë po mendon për të mbrojtur prodhimin vendas. Në mjediset e MZHETTS u mblodh Komisioni për Vlerësimin e Masave për Importet. Komisioni ndërinstitucional u drejtua nga ministrja Ekonomi dhe në përbërje të tij janë përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Jashtme, Ministria e Financave, Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Tema e këtij takimi ishte diskutimi mbi fillimin e një procedure hetimore për vendosjen e masave mbrojtëse ndaj importit të qumështit UHT (Ultra High Temperature) me qëllim mbrojtjen e prodhuesve vendas në këtë sektor.
Anëtarët e Komisionit u njohën me një prezantim nga Drejtoria e Mbështetjes së Sipërmarrjes në MZHETTS, lidhur me kërkesën e sektorit të Industrisë së përpunimit të qumështit, ku analiza për vlerësimin e dëmit që i bëhet industrisë vendase nga importi i qumështit UHT u bazua në disa faktorë:
1- Vëllimi i importeve, i cili ka pësuar një rritje të konsiderueshme prej 34 % në periudhën 2011-2016.
2- Çmimin e importeve që ka ardhur duke u ulur nga viti në vit.
3- Ndikimin e importeve te prodhuesit vendas. Konstatohet se në Shqipëri prodhohet një sasi e konsiderueshme qumështi për rreth 1.1 mln tonë në vit nga e cila vetem 11.106 ton konvertohet në qumësht UHT.
4- Ndikimi që kanë skemat subvencionuese në këtë sektor në vendet e rajonit krahasuar me vendin tonë.
Pas diskutimeve, Komisioni ra dakord që të nisë një procedurë hetimore për vendosjen e masave mbrojtëse ndaj importeve të qumështit UHT, ku do të informohen dhe gjithë palët në këtë proces.
Në takim u kërkua që në mbledhjet e ardhshme të ketë pjesëmarrje si vëzhgues edhe nga INSTAT dhe Drejtoria e Ndihmës Shtetërore.
Ky komision ka si qëllim të adresojë gjithë problematikat që hasen në fushën e importeve mes vendit tonë dhe vendeve të tjera si dhe marrjen e masave mbrojtëse për industrinë prodhuese vendase nga praktikat e importeve të dumpuara apo të subvencionuara.
Komisioni është ngritur në bazë të Ligjit nr. 9790 datë 19.07.2007 “Për masat mbrojtëse në importe” dhe të ligjit nr. 9796 datë 23.07.2007 “Për masat antidumping dhe kundërbalancuese. Në këtë komision gjithashtu synohet të diskutohen dhe analizohen mundësitë për të iniciuar marrëveshje të reja të tregtisë së lirë me vende të tjera.