Presidenti i ri i zgjedhur i Francës, Emmanuel Macron, e di se njerëzit po flasin shumë për diferencën e moshës mes tij dhe gruas Brigitte. Por nuk ka ndërmend t’i durojë.
Ai foli hapur për “Le Parisien”, ku kritikoi moralin e shtirur që i lejon burrat të martohen me gra shumë më të reja, kurse në rastin e grave më të mëdha se burrat- Brigitte është 63 ndërsa Emmanuel, 39- i gjykon ashpër duke i trajtuar si anomali.
“Po të isha 20 vite më i madh se ime shoqe, askush nuk do ta vinte në diskutim.”, u shpreh ai dhe vijoi: “Vetëm sepse ajo është 20 vite më e madhe se unë, njerëzit thonë: “Kjo marrëdhënie nuk është normale.”
Emmanuel Macron dhe Brigitte u martuan në 2007-ën. Ajo ka qenë një prej këshilltareve më të besuara të tij gjatë fushatës presidenciale, duke e ndihmuar për fjalimet dhe strategjitë. Ata u njohën kur Emmanuel ishte 15 vjeç dhe ajo i jepte lëndën e dramës në gjimnaz.
Macron ka thënë se dëshiron ta ndryshojë rolin e zonjës së parë të Francës, për ta përfshirë atë më shumë duke i dhënë edhe një pozicion politik.





