Shqipëria dhe Kina nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik dhe teknik, nga e cila qeveria kineze akordon 3 milionë dollarë në formë ndihme për Teatrin Kombëtar të Baletit, Ansamblit Popullor dhe për projekte të tjera që do të përcaktohen në vijim.
Marrëveshja u firmos  në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë nga ministrja Milva Ekonomi dhe ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Jiang Yu.
Ministrja Ekonomi tha se, pas takimeve dhe vizitave të niveleve të larta, lidhjet ekonomike mes vendeve janë intensifikuar. Ministrja Ekonomi shprehu mirënjohjen për kontributin e gjerë të Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës në financimin me fonde grant të projekteve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë si dhe për asistencën teknike të ofruar për ngritjen e kapaciteteve për stafet teknike dhe funksionarët e administratës shqiptare. Ajo tha se shumë shpejt brenda muajve të parë të gjashtëmujorit të dytë do të ketë një takim të Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kinë “Për bashkëpunimin ekonomik”.  
Ndërsa, ambasadorja e Kinës tha se niveli i bashkëpunimit tashmë është në një nivel më të lartë, duke shprehur angazhimin për forcimin e komunikimeve dhe koordinimin mes dy qeverive dhe sipërmarrjeve të dy vendeve. “Të diskutojmë me njëri-tjetrin rrugën e re të bashkëpunimeve, në mënyrë që bashkëpunimet të jenë konkrete në praktikë dhe me rezultate të prekshme", tha ajo.
Ndërkohë, marrëdhëniet tregtare me Kinën kanë njohur një trend rritës vitet e fundit. Volumi Tregtar me Kinën në vitin 2016 në krahasim me vitin 2015 paraqitet me një rritje në masën 11.23%, si rezultat i rritjes së eksporteve në masën 15% dhe importeve në masën 10.76%.