Juventus-i i Massimiliano Allegri-t duket se është i pandalshëm. Është gati të fitojë titullin e gjashtë radhazi, në finalen e Kupës së Italisë, por mbi të gjitha ka dalë në finalen e Champions League pasi kanë eliminuar në gjysmëfinale Monaco. Një skuadër që fiton brenda dhe jashtë fushës. Në fakt, do të jenë plot 127 milionë euro, duke përfshirë edhe të ardhurat nga shitja e biletave, që do të përfundojnë në arkat e klubit bardhezi. Një shifër marramendëse që do të mund të ketë një ndikim të madh në merkato. Është një bilanc më i mirë se ai i dy viteve më parë, kur Juventus ka luajtur në finalen e Berlinit.
Në atë rast u fituan 85 milionë euro nga ecuria në Champions League: tani më shumë se 40 milionë euro plus, të grumbulluar mes sponsorëve, biletave dhe natyrisht shpërblimeve nga UEFA. Një “jackpot” mbresëlënës që justifikon investimet e bëra nga bardhezinjtë (me Higuain në krye, i blerë për 90 milionë euro verën e kaluar) dhe që do t’i japë mundësi kampionëve në fuqi të Italisë të bëjnë lëvizje të tjera të rëndësishme në merkaton e ardhshme. Ëndrrat nuk mungojnë, nga Verratti te Keita, duke kaluar nga Bernardeschi, Tolisso dhe shumë emra të tjerë.