Për shkak të ngjashmërisë me diamantin zirkoni është shumë i përdorur në bizhuteri.
Emri zirkon vjen nga fjala arabe “zarkun“ (i kuq) ose nga termi persian “zar” (ar) dhe “gun” (ngjyrë). Ngjyrat e zirkonit janë të shumta.
Kompozimi kimik i zirkonit


Zirkoni përbëhet nga silikati i zirkonit, falë të cilit ka një bukuri natyrale. Zirkonia nuk duhet ngatërruar, me zirkonin, sepse e para është prodhim laboratori. Oksidi i zirkonit është zbuluar në 1892, por vetëm në 1937-tën është zbuluar edhe Zirkonia në gjendjen e saj natyrale, kristalet e së cilës ishin shumë të vogla për t’u prerë.
Në vitet ’70 një shkencëtar sovjetik i Institutit Fizik të Moskës, arriti ta prodhojë zirkonian në laborator. Duke filluar nga vitet ’80 zirkonia u përdor si zëvendësuesi ekonomik i diamantit.
Nxjerrja e gurëve të çmuar

Zirkoni nxirret në Kamboxhia, Nigeri, Sri Lanka dhe Tanzani.
Historia e zirkonit
Zirkoni është njohur në antikitet si gur i çmuar dhe është gjetur në sitet arkeologjike të botës antike. Ai është cituar gjithashtu në libra të shenjtë si Bibla dhe në një poezi hindu, ku përmendet një pemë me gjethe zirkoni.
Të tjera shkrime citojnë një legjendë hebraike ku përmendet një ëngjëll i quajtur “Zirkon”, që duhej të mbikqyrte Evën dhe Adamin në Eden.
Zirkoni është përmendur në disa pasazhe të Biblës, së pari si "gur i zjarrit" (Ezekieli 28: 13-16), me të cilin Moisiu përbën gjithashtu pektoralin e Aronit (Moisiu 2. 28, 15-30), pastaj si një nga dymbëdhjetë gurët e çmuar që dekorojnë murin e qytetit të Jeruzalemit (Apokalipsi 21, 19-20).
Karakteristikat e Zirkonit

Kur drita bie në kontakt me zirkonin përthyhet dhe reflektohet në dy rreze. Edhe një sy pak i stërvitur e vë re fenomenin e dyfishimit të dritës. Përveç shkëlqimit të padiskutueshëm, tek zirkoni krijohen mozaikë të mrekullueshëm drite me thellësi optike.
Llojet e zirkonit
Zirkonin e gjejmë në ngjyra të ndryshme: blu, ngjyrë shampanje e konjaku, ngjyrë ari, mjalti, portokalli, të kuq, të bardhë transparent dhe të verdhë.

Të veçantë janë edhe zirkonët ngjyrë kanelle, shafrani, ndërsa zirkoni kaduna i Nigerisë ka tonalitete të ngrohta të së verdhës së mjaltit.

Një varietet shumë i veçantë është edhe zirkoni Ratanakiri, që vjen nga kamboxhia dhe hyn tek ekzemplarët më të mirë të botës.

Në fotogalerinë e mëposhtme mund të shikoni disa prej llojeve të gurit të çmuar dhe mënyrën se si përdoret në bizhuteri të ndryshme.
R.O.





