Në Premier League ka një çështje “Pogba”. Zyrtarisht, FIFA kërkon nga Manchester United sqarime rreth detajeve të transferimit të Paul Pogba nga Juventusi gjatë merkatos së verës. Lajmin e bën të ditur agjencia franceze e lajmeve që shton se institucioni më i lartë i futbollit botëror paralelisht ka nisur edhe një hetim. Ishte publikimi i dokumentave sekrete të “Football Leaks” të publikuara nga gjermania “Spiegel” që tërhoqi vëmendjen e FIFA-s sepse sipas të dhënave, nga 105 milionë Euro të deklaruara për transferimin, mendohet se 49 kanë shkuar në xhepat e agjentit Mino Raiola. Logaritë janë të qarta sepse fillimisht Raiola përfitoi 27 milionë Euro nga Juventusi.

Në krahun tjetër, Manchester United i ka miratuar agjentit në datën 6 Gusht një shumë prej 19.4 milionësh që do të paguhej në 5 këste deri në vitin 2020.Por nuk përfundon me kaq pasi edhe vetë mesfushori francez i ka paguar Mino Raiolas 2.6 milionë Euro për finalizimin me sukses të marrëveshjes më të shtrenjtë të historisë së futbollit. Një shumë gati gati e papërfillshme për llogarinë e lojtarit që gjatë sezonit të parë me “Djajtë e Kuq” arkëtoi plot 10.2 milionë Euro, pa llogaritur këtu 3.4 milionë për të drejtat publicitare. Hetimet mund të thellohen edhe më shumë në të ardhmen pasi bonusin e përfituar, mendohet se Raiola e ka arkëtuar te kompania e tij me bazë në Montevcarlo dhe në rast se vërtetohet që janë shkelur rregullat e transferimit, atëherë klubi anglez rrezikon një masë të rëndë që mund të shkojë deri në bllokimin e merkatos.