Shkolla e mesme profesionale “Beqir Çela” në Durrës ka organizuar këtë të premte panairin me punime të shumëllojshme të gjimnazistëve, me të cilat janë njohur nga afër edhe nxënësit e klasave të 9-ta.

Aktualisht, gjimnazi ka 1420 nxënës në katër drejtime; Automekanik, Elektroteknik, Termo-Hidraulik dhe Teknologji Informacioni dhe përmes këtij panairi synon të promovojë ambientet bashkëkohore të shkollës për të gjithë ata që janë të interesuar për arsimin profesional.

Sipas drejtorit të shkollës, Fatmir Mërkuri, aktualisht degët e lartpërmendura janë 4 profesionet më të kërkuar në tregun e punës.

“Nxënësit tanë janë të punësuar edhe gjatë kohës kur kryejnë praktikat e punës profesionale dhe gjatë kohës që janë në shkollë.”, thotë Mërkuri ndërsa shton se ka edhe nxënës që orientohen drejt tregut jashtë vendit për të zhvilluar zanatin e tyre pasi iu njihet diploma.

“Konkurenca jonë nuk është më kombëtare por është globale. Diplomat e nxënësve tanë njihen në arenën ndërkombëtare dhe nxënësit tanë konkurojnë lëhtësisht me këdo në aspektin profesional.”

16-vjeçari Xhulio Zeneli, nxënës i vitit të parë, ëndërron që në të ardhmen të ketë biznesin e tij për të ushtruar zanatin e hidraulikut, ku dhe po ndjek studimet. Ai ka prezantuar në këtë panair punën e bërë në grup bashkë me nxënës të tjerë për ngritjen e një pishine dimërore, e cila ngrohet nga paneli diellor dhe nga kaldaja.

“Afati kohor i këtij projekti ka qenë një muaj”, thotë ai, i pyetur nëse e ka të vështirë të gjejë një vend pune shprehet se tregu është i hapur dhe për zanatin e tij është shumë e lehtë, dhe ndikuar nga kjo gjë, ai ka zgjedhur arsimin profesional.

Të ardhmes nuk i dihet dhe mbase edhe Zeneli, si shumë të rinj shqiptarë, zgjedh ta ushtrojë zanatin e tij jashtë Shqipërisë.

Ndërkohë, një grup tjetër nxënësish ka ngritur miniaturën e një vile, ku demostrohet sistemi ngrohës i objektit shumëkatësh me kaldajë, sistemi i ngrohjes në dysheme dhe sistemi i ngrohjes me radiatorë.

Ilir Kërtusha, i cili jep lëndën Praktikë Hidri në gjimnazin profesional tregon se nxënësve iu është dashur një muaj për ta krijuar punën e prezantuar në panair, kjo për shkak edhe të pandemisë.

Në këtë aktivitet u prezantuan punime të ndryshme të ndërtuara nga nxënësit falë njohurive teorike dhe praktike të fituara në shkollë si automjete, kaldaja funksionale, minipishinë me hidromasazh dhe panele diellore etj..

G.D.