20 maji është dita kombëtare e fëmijëve jetimë, një ditë e shënuar kjo për të promovuar vlerat njerëzore të dashurisë për të gjithë atë pjesë të brishtë e të pambrojtur të shoqërisë që kërkon mbështetje, vëmendje, ngrohtësi e kontribut.
Shoqata “Shpresa e jetimëve”, e rithemeluar në vitin 2015 (është formuar në vitin 1992), me këtë rast ka menduar të organizojë një aktivitet festiv për këta fëmijë, në datë 19 maj, ora 10.00, në sallën e konferencave të Kampusit universitar në Durrës.
Aktiviteti i këtij viti "Toka e zemrave" do të jetë i treti në rradhë, duke u kthyer tashmë në një traditë të bukur për jetimët e qytetit bregdetar.
Këtë vit, projekti prestigjoz në bashkëpunin me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe me mbështetjen e Komitetit të Bashkuar Kuvajtjan në Shqipëri dhe përfaqësues të Ambasadës Kuvajtiane do të realizojë një aktivitet me mesazhe përcjellese dhe sensibilizuese nga të gjithë pjesëmarrësit (OJF mbështetëse, komunitetet fetare, personalitete të ndryshme) dhe pa harruar ngjyresat festive dhe argëtuese.
Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës vë në dispozicion sallën e konferencave për realizimin e këtij projekti, në datë 19 maj.
Në fund të programit festiv do të organizohet edhe një kokteil për të pranishmit në këtë aktivitet, por pa harruar edhe shpërndarjen e pakove ushqimore dhe dhuratat e menduara për fëmijët pjesëmarrës në këtë ditë.
Kush është Shoqata “Shpresa e jetimëve”?
Shoqata “Shpresa e Jetimëve” (SHSHJ) është formuar që në vitin 1992 dhe e rithemeluar në vitin 2015 nga anëtarët e rinj të saj. Ka punuar dhe vazhdon të punojë në rrethin e Durrësit duke asistuar fëmijët jetimë. Puna e stafit të shoqatës ka konsistuar gjatë gjithë kohës në evidentimin, dokumentimin, klasifikimin dhe mbështetjen e fëmijëve jetimë sipas mundësive dhe përpjekjeve të vetë shoqatës.
Shoqata “Shpresa e jetimëve” është shoqatë lokale jofitim prurëse, që operon në ndihmë të fëmijëve jetimë të qytetit të Durrësit. Projektet që shoqata realizon konsistojnë në organizimin e aktiviteteve social-kulturore qoftë këto në ditë të shënuara ose jo. Fëmijët jetimë që ndihmohen nga kjo shoqatë kanë mundësi socializimi dhe argëtimi për t’u ndier të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre.