Kandidatët për deputetë janë hedhur në fushatë elektorale, pavarësisht se nuk merr pjesë opozita në zgjedhjet e 18 qershorit.  Në një situatë si kjo kandidatët për deputetë, nuk lënë ansjë rast pa shfrytëzuar për të dalë në televizor e në media duke marrë pjesë edhe në aktivitete të cilat deri pak kohë më parë as nuk ekzistonin.  

Zëvendës ministrja e Arsimit njëkohësisht e dyta në listën e kandidiatëve të LSI-së Nora Malaj, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga “Automobile Club Albania “ të sigurt mbi dy rrota”.

Ky aktivitet i cili zhvillohet si konkurs kombëtar për edukimin mbi sigurinë rrugore,  me fëmijë të moshave 10 deri në 12 vjeç, ka si synim ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe edukimin e tyre si përdorues të rrugëve.

Konkursi është konceptuar në tre faza ku shkollat në rang kombëtar përzgjedhin nga katër fëmijë pjesëmarrës. Në fazën e dytë bëhet gjysmë finalja, ku përzgjidhen ekipet më të mirë të qyteteve.

Ndërsa finalja zhvillohet në 13 maj, në Tiranë dhe skuadra fituese do të përfaqësojë Shqipërinë në aktivitetet jashtë vendit.  

Është për të qeshur e për të qarë, në një vend si ky i yni, ku fëmijëve në shesh të hapur iu mësohet si të pedalojnë me biçikleta, iu mësohet si të ecin në rrugë, por në rrugët e të gjithë qyteteve tona nuk ka korsi për biçikletat.

Në Durrës numërohen me gjysmat e gishtave të një dore rrugët që kanë korsi për biçikleta. Cili prind do të lejojë të fëmija i tij të lëvizë me dy rrota, në cilin qytet të Republikës? Përpara se të mësoni fëmijët të ecin me dy rrota bëjuni atyre rrugë ku të pedalojnë të sigurt! Bëjuni korsi për biçikleta, mos i nxirrni në një shesh siç është sheshi i vetëm në Durrës “Liria”, ku mund të pedalojnë vogëlushët. Përpara se të merreni me demagogji, dhe me fushatë, përpara se të flisni për të mirën e tyre kursejini vetes dalje të tilla publike, që ju nxjerrin qesharakë!