Teuta sfidon Korabin për të hedhur një hap të madh drejt zonës së sipërme të tabelës së klasifikimit. Skuadra e Gugash Maganit ka këtë të shtunë shansin e artë për të siguruar një 3-pikësh edhe pse leksioni që mori Vllaznia ndaj dibranëve vetëm një javë më parë i vendos në pozita gadishmërie “Djemtë e Detit”. Edhe pse tashmë shumë zyrtarisht të rikthyer në Kategorinë I, miqtë do të kërkojnë të  respektojnë kampionatin për ta mbyllur këtë sezon pa paragjykime. Në krahun tjetër, Teuta i ruhet euforisë sepse një hap fals që në këtë rast konsiderohen pikët e lëna, mund ta komplikojnë situatën në klasifikim pasi diferenca me Laçin është vetëm 4 pikë.

Ndeshja do të luhet në “Elbasan Arena” me Korabin pritës për shkak të mungesës së një stadiui të liçencuar dhe në kampin dibran skuadra është e plotë. Pika më e fortë e kësaj skuadre është portieri Prençi që në transfertën e Shkodrës arriti të ruante atë barazim që shtangu jo pak skuadrën e Armando Cungut.Në tre takimet e këtij sezoni, Teuta ka mundur të sigurojë po kaq fitore por me vetëm një gol diferencë, çka do të thotë se sfida e javës së 32 për ekipin durrsak mund të dhurojë surpriza të pakëndshme. Trajneri Magani e ka të gjithë grupin në dispozicion dhe vjen pas barazimit pa gola në “Niko Dovana” ndaj Flamurtarit, një rezultat që nga vetë trajneri u konsiderua pozitiv në përfundim të ndeshjes. Gjithsesi, durrsakët kanë kthyer faqe dhe tashmë po bëhen gati për 5 sfidat e fundit ku d të vendoset edhe fati i sezonit. Fillimisht Korabi dhe më pas Skënderbeu e Luftëtari për ta mbyllur sezonin me duelet ndaj Vllaznisë dhe Laçit. Skuadra e Gugash Maganit kërkon pikë mbijetese dhe pas 5 ndeshjeve rresht pa fitore në kampionat., këtë të shtunë në orën 16:00 ka mundësinë reale për të shkundur sezonin plot dritëhije.