Në kuadër të nismës së Bashkisë Durrës, për realizimin në muajin maj të dëgjesave publike lidhur me përgatitjen e buxhetit afatmesëm 2018-2020,  më datë 3 maj 2017, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore si dhe Drejtoria e Shërbimeve, kanë zhvilluar dy dëgjesa publike me qëllim prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që Bashkia e Durrësit ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2018-2020 në Paketën Fiskale dhe Programin “Infrastruktura rrugore dhe transporti publik”, duke mirëpritur çdo propozim, sugjerim apo rekomandimin nga ana e qytetarëve.

Kështu, dëgjesa e parë publike është zhvilluar në Njësinë Administrative Manëz. Në këtë takim kishte një pjesëmarrje të gjërë, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga të gjitha fshatrat e Njësive Administrative Manëz dhe Ishëm. Ndërsa, Dëgjesa e dytë publike është zhvilluar në Njësinë Administrative Rrashbull, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga të gjitha fshatrat e Njësive Administrative Rrashbull, Kantund i Ri dhe Sukth.

Gjatë dëgjesës publike, në pjesën e parë, pjesëmarrësit janë informuar mbi Paketën Fiskale për periudhën 2018 – 2020. Drejtori i Taksave dhe Tarifave Vendore, Avdyl Koka, informoi të pranishmit lidhur me strukturen e paketës fiskale dhe rëndesinë e pagesës së taksave dhe tarifave në funksion të ofrimit të shërbimeve me të mira në gjithë territorin e bashkisë, ecurinë e të ardhurave në vite të bashkisë nga taksat e tarifat si dhe prezantoi problemet lidhur me menaxhimin e taksave tarifave nga administrata e bashkisë, problemet që lidhen me sistemin e faturimit dhe mbledhjes së të ardhurave dhe problematika të tjera. Për ta konkretizuar në mënyrë sa më të qartë nivelin e dinamikës së taksave në Bashkinë Durrës, është bërë paraqitja në mënyrë grafike dhe tabela e të gjitha ndryshimeve për të bërë sa më reale dhe konkrete nivelin e taksave për çdo faktor.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, pjesëmarrësit janë njohur gjatë dëgjesës publike të drejtorisë së shërbimeve me projektet dhe investimet kryesore në infrastrukturën rrugore për vitet 2018-2020 në përputhje me Programin “Infrastruktura rrugore dhe transporti publik”. Emiriana Sako, Drejtore e Shërbimeve në Bashkinë e Durrësit, fillimisht u ndal në analizimin e prioriteteve lidhur me investimet në infrastrukturë, shërbime publike, etj, me qëllim rritjen e cilësisë së jetesës së qytetarëve, realizimin e investimeve në kohë dhe me cilësi të ndërtesave urbane në qytetin e Durrësit (si shkollat, kopshtet, çerdhet, qendrat sociale, etj). Sipas Sakos janë realizuar pothuajse 90% e projekteve të investimeve në infrastrukturën rrugore, mbetet vetëm ndjekja e proçedurave të lidhjes së kontratave me subjekteve fituese të proçedurave të prokurimeve.

Për më tepër, gjatë prezantimit të saj, Sako sqaroi se objektivat kryesorë të Drejtorisë së Shërbimeve për Njësitë Administrative janë: përmirësimi i infrastrukturës rrugore, rritja e nivelit ekonomik të zonës nëpërmjet investimeve konkrete, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike të pastrimit, gjelbërimit, sinjalistikës rrugore etj., pastrimi i kanaleve kulluese rreth 241 km dhe rivënia në funksion e 223 km kanale vaditëse, rehabilitimi i rrjeteve të kanaleve vaditëse, sigurimi i ujit për ujitjen e tokave bujqësore nëpërmjet pastrimit, rritjea e cilësisë së shërbimit për largimin e mbeturinave në të gjitha njësitë administrative, përmirësimi i sistemit të ujit të pijshëm, ujrave të bardha, përmirësimi i ndriçimit rrugor, etj.