Ish-mbrojtësi i majtë i Premier League Christian Ziege ka rrëfyer për një dëmtim që gati sa nuk e vrau gjatë periudhës kur luante te Tottenham. Vetëm disa muaj pasi luajti në Kupën e Botës 2002, një dëmtim i tmerrshëm në kofshë në ndeshjen ndaj Charlton gati sa nuk i dha fund karrierës së tij në mënyrën më të keqe të mundshme. “Isha pranë vdekjes,” shprehet ai për FourFourTwo. “Pësova një dëmtim në kofshë. Nuk ishte një goditje e fortë por këmba mu fry keq pas ndeshjes. Ishte një dhimbje e tmerrshme.”
“Gruaja më tha të telefonoja doktorin por ishte Viti i Ri dhe refuzova. Gruaja ime e telefonoi dhe ai tha se duhet të shkoja në spital për të parë presionin brenda këmbës.” Ziege vazhdoi të luante për Spurs për dy sezone të tjera përpara se ta mbyllte karrierën te Borussia Monchengladbach, por gjithçka mund të kishte qenë ndryshe. “Më operuan, dhe nuk mbaj mend rreth ditëve në vazhdim pasi më dhanë shumë qetësues. Më thanë se nëse do ta kishim lënë edhe 30-45 minuta duhet të pritej këmba.”
“Ishte shumë e frikshme dhe më duhej të bëja një tjetër operacion pesë muaj më vonë pasi muskuli kishte vdekur. Ata duhet ta hiqnin dhe unë duhet të filoja sërish nga e para.” Dëmtimi i dha fund sezonit të tij, me Ziege që u kthye vetëm njëherë si zëvendësues përpara se të operohej sërish. Në fakt, sezonin tjetër ai bëri vetëm tetë paraqitje teksa ishte në fundin e një karriere të suksesshme.