Edmond Hasanbelliu, presidenti i Teutës, ka shpërthyer ndaj arbitrave, teksa pas një analize të bërë për kampionatin nga Enea Jorgji në një televizion lokal të Elbasanit, numri një i klubit durrsak ka deklaruar se ky arbitër i ka hequr titullin durrsakëve për një vend pune.

“Kur konkurronim me Skënderbeun për titullin kampion në sezonin 2011-2012, luanim në shtëpi me Kamzën, ndërsa Skënderbeu në transfertë me Bylisin. Jorgji favorizoi Kamzën në ndeshjen që kishim në Durrës dhe akordoi faulle të çuditshme, duke na hequr padrejtësisht titullin. Në atë javë ne motivuam Bylisin që t’i luante fort Skënderbeut dhe ashtu ndodhi, pasi korçarët barazuan në Ballsh”.

“Pasi hetova pse kishte tendencë të na dëmtonte, zbulova se Jorgji kishte kërkuar të punonte tek Tatimet në Elbasan dhe në atë kohë ia kishte premtuar punësimin presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo. Kjo është historia e këtij maskarai, që na gjykoi keq në ndeshjen vendimtare”, ka deklaruar ndër të tjera Hasanbelliu.

Më tej ai pranoi se edhe presidentët po ndërhyjnë prej frikës që kanë se mund të vendosin arbitrat, ndërkohë që përsërit atë që i bëri Meta në Kukës, gjë që ia bëri edhe Laçit javën e shkuar. “Arbitrat janë bërë super të frikshëm dhe po vendosin gjithçka. Në këto kushte kam filluar të dyshoj te kolegët e mi. Po bëj të pamundurën t’i demaskoj këto skandale dhe një hap konkret e kam bërë me Kridens Metën, që e çova në gjyq. Ky Meta doli aq i fortë, saqë ndëshkoi edhe Laçin në ndeshjen me Kukësin. Ky është problem”, thotë ndër të tjera numri një i klubit durrsak.