Në kuadrin e përgatitjeve për hartimin e buxhetit afatmesëm 2018-2020, bashkia e Durrësit ka nisur diskutimet me grupet e interesit.
Muaji maj është parashikuar si muaji e dëgjesave publike për çdo program zhvillimi, ku nga data 2 -10 maj, do të mbahen çdo ditë disa dëgjesa në drejtori të ndryshme në varësi të bashkisë së Durrësit.
Buxheti është parashikuar në 9 drejtime zhvillimi dhe dëgjesat publike janë parashikuar në të gjitha njësitë administraitve të Durrësit, me qëllim që të përthithet opinioni i të gjithë banorëve në çdo skaj të kësaj bashkie.
Bashkia po asistohet nga ISB (Instituti i Studimeve Bashkëkohore), nëpërmjet financimit të DLDP-së (Decentralization and Local Development Programme) për përgatitjen e buxhetit afatmesëm.
Bashkia është e detyruar të krijojë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e hartimit të buxhetit vjetor dhe sidomos të prioriteteve buxhetore.
Në këtë takim pjesëmarrësit do të informohen mbi investimet, projektet dhe shërbimet kryesore të programit “Infrastruktura rrugore dhe transporti publik”, “Paketa fiskale” që Bashkia mendon të zbatojë për vitet 2018-2020, si dhe do të mirëpresë çdo mendim, sugjerim e këshilla nga ana e çdo qytetari.





