Rikuperohet Tarik Cmajcanin. Numri 10 i Teutës ka hedhur pas krahëve dëmtimin që e mbajti larg fushave për tri javë dhe është gati për Korabin.Mesfushori, shprehet më i lehtësuar pas riaftësimit, ndërsa nuk heziton që të ndalet gjerësisht te llogaritë e mbijetesës. Ai i druhet vetëkënaqësisë, ndaj kërkon që Korabi të mos merret kurrsesi lehtë. Rreziku, sipas serbo-boshnjak, është ende prezent, ndaj edhe ekipi që renditet i fundit në tabelë kërkon vlerësim maksimal.“Kam kaluar plotësisht dëmtimin dhe jam i gatshëm t’i shërbej ekipit. Jam në dispozicion të trajnerit dhe, nëse ai e sheh të arsyeshme, unë mund të aktivizohem ndaj Korabit. Edhe pse nuk kam qenë në formën më të mirë, jam stërvitur që të rimerrja veten sa më shpjet. Dua ta ndihmoj Teutën që të mbledhim sa më shumë pikë dhe të mos e diskutojmë mbijetesën.

Ndeshja e kësaj jave do shumë kujdes. Euforia do të na dëmtonte. Megjithatë, trajneri ka punuar mirë me skuadrën dhe ka kërkuar përqendrim maksimal dhe të mos ketë asnjë shenjë nënvlerësimi. Kujtoj që ndaj Vllaznisë ata morën pikë, ndaj nuk duhet të bëjmë të njëjtin gabim. Edhe pse duhet që ta marrim seriozisht kundërshtarin, nuk duhet që ta diskutojmë fitoren.

Kundërshtari mund të ketë rënë nga kategoria, por kanë dëshmuar se mund t’i prishin punë kujtdo. Duke qenë se kanë mbetur edhe 5 takime deri në finish, nuk na lejohen gabimet. Kemi hedhur shumë hapa falsë deri më tani, megjithatë nuk ka kohë që të ankohemi për atë që ka kaluar. Duhet të mendojmë vetëm për të ardhmen dhe të mbledhim pikët e nevojshme për mbijetesën.Teuta i ka mundësitë të jetë shumë më lart dhe ashtu duhet të ishte, por si u zhvillua kampionati dhe në pozitat që ishim mund të them që kemi bërë më mirë. E vetmja gjë që na mbetet, është që të marrin maksimumin deri në fund dhe të evitojmë rënien”, përfundoi Tarik. Sakaq, skuadra ka vijuar edhe dje përgatitjet me ritëm të lartë, ndërsa lojtarët janë shfaqur më shumë se të përkushtuar karshi kërkesave të stafit teknik.