Një sezon në Serinë B me Avellino-n për t’u konfirmuar në futbollin italian. Një shans i shfrytëzuar nga Berat Gjimshiti që të luante me vazhdimësi, por mbi të gjitha për të bindur Atalantën për potencialin e tij. Pas paraqitjeve mjaft të mira në Serinë B, për mbrojtësin kuqezi projektohet rikthimi në elitën e futbollit italian. Drejtuesit e Atalantës u bindën për forcën e 24-vjeçarit dhe po planifikojnë ta rimarrin në skuadër për sezonin e ardhshëm, ku shpresojnë të luajnë edhe në Europë.Konfirmimi erdhi nga trajneri i Avellino-s, Walter Novellino që shprehu dëshirën ta kishte mbrojtësin në dispozicion edhe për sezonin e ardhshëm, por theksoi se Gjimshiti do të rikthehet te Atalanta që zotëron edhe kartonin e lojtarit. Djaloshi nga Lugina e Preshevës ka luajtur 33 nga 39 ndeshjet e këtij sezoni në Serinë B dhe ka qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Avellino-s në objektivin e skuadrës për të arritur mbijetesën.
Me rikthimin te Atalanta, Berat Gjimshiti duhet të luftojë për të siguruar besimin e trajnerit Gasperini, fillimisht për të mbetur pjesë e grupit dhe më pas për të synuar hapësira aktivizimi. Gjatë sezonit të kaluar, kur u transferua në merkaton e Janarit nga Zurich-u, Gjimshiti luajti vetëm tre ndeshje për bergamaskët në Serinë A, të gjitha në fundin e sezonit kur skuadra nuk kishte më objektiva.