Dy aksidente rrugore janë regjistruar një ditë më parë në Durrës, ku si pasojë janë plagosur dy persona, ndërsa janë arrestuar dy drejtues automjetesh pasi ishin të dehur, njëri prej të cilëve është ndër të plagosurit.

Aksidenti në Spitallë

Aksidenti i parë ndodhi në lagjen nr. 15, ku një mjet tip “Ford” është përplasur me motorçikletën tip “Amadeos”, 110cc, duke lënë të plagosur drejtuesin e këtij të fundit, shtetasin L.K. 30 vjeç, banues në Durrës.

Ndërsa drejtuesi i makinës, shtetasi A. Hysa 47 vjeç, banues në Arapaj u arrestua, pasi gjatë testit të alkoolit rezultoi se ishte në gjendje të dehur.

Për të plagosurin raportohet se ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.

Aksidenti në Hamallaj

Aksidenti i dytë u shënua në aksin rrugor Maminas-Gjiri i Lalzit, në fshatin Hamallaj.

Shtetasi B. Lala 40 vjeç, banues në Manëz, ishte duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, kur ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë jashtë rruge.

Për pasojë është dëmtuar vetë, i cili dhe ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve. Gjatë testit të alkoolit rezultoi se shtetasi B.Lala ishte në gjendje të dehur. Ndaj tij u lëshua urdhër-arrest.