Afërsisht një javë pas atentatit ndaj ish- zyrtarit të Policisë së Shtetit, Ervin Dalipaj dhe mikut të tij Juxhin Dauti, policia e Durrësit, po kërkon një automjet “Audi” A5, me ngjyrë të zezë, tek derë.

Sipas TVKlan, kjo makinë dyshohet se është përdorur nga një prej dy grupeve të atentatorëve, që morën pjesë në vrasjen e të martës së kaluar në Sukth. Burime të policisë thanë se kjo veture është fiksuar nga një kamera sigurie në rrugën dytësorë të zonës, ndërsa lëvizte e shoqëruar nga një autoveturë “BMW” X5 me ngjyrë të zezë.

Nga krahasimi i të dhënave të policisë si dhe nga dëshmitë e personave te ndryshëm, rezulton se mjetet janë të ngjashme me ato të përdorura në atentat. Pavarësisht identifikimit të mjetit, nga këqyrja e këtyre pamjeve të fiksuara, policia dhe ekspertet nuk kanë arritur të identifikojnë targën e asnjë prej këtyre makinave.

Policia është duke ekzaminuar edhe pamje nga një seri kamerash sigurie të tjera në disa biznese të zonës. Pistat e hetimit, mbeten ato të hakmarrjes ndaj Dautit, apo ajo që lidhet me vrasjen e Gazmend Çollakut.