Java e 34-të e Serisë A italiane foli më shumë shqip se zakonisht. Thomas Strakosha, Etrit Berisha dhe Elseid Hysaj treguan edhe njëherë se kanë vlera të jashtëzakonshme duke shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushë përballë tre  prej skuadrave ikonë të këtij kampionati. Tashmë kombëtarja shqiptare mund të krenohet se ka dy portierë të një niveli shumë të lartë që luajnë në një nga kampionatet më të rëndësishme në Europë dhe që i magjepsin të gjithë me performancat e tyre javë pas jave, por edhe një mbrojtës të konfirmuar si Hysaj që kërkëkohet nga klubet më të mëdha të Europës dhe që me shumë gjasa do të jetë kapiteni i së ardhmes te kuqezinjtë e De Biasit.Ai që spikati më shumë ishte pikërisht talenti i portës, Thomas Strakosha. 22-vjecari ishte thjeshtë fantastik me pritjet e tij në një nga ndeshjet më të ndiera jo vetëm në Itali por edhe në Botë. Strakosha me ndërhyrjet e tij thjeshtë perfekte, ndihmoi Lazio të fitonte me rezultatin 3-1 ndaj Romës në derbin e qytetit të përjetshëm.

Në minutat e para Strakosha ndali fillimisht një tentativë të Edin Dzekos ndërsa më pas evitoi një gol të sigurtë me majat e gishtave pas një goditjeje të Salah duke mbajtur rezultatin në 0-0 . Gardiani kuqezi kuptoi edhe krahun në penalltinë e ekzektuaur nga De Rossi ndërsa në fillimin e pjesës së dytë me një tjetër ndërhyrje vendimtare ndaj boshnjakut Dzeko nuk lejoi që Roma të kalonte në avantazh. Paraqitje thjeshtë mbresëlënse në një ndeshje kaq të madhe ajo e portierit shqiptar që me meritë u vlerësua nga mediat italiane me notën 8 në përfundim të sfidës.Të Dielën shkëlqeu edhe Elseid Hysaj që bëri një paraqitje shumë të mirë në krahun e djathtë të mbrojtjes në fitoren 0-1 të Napolit ndaj Interit në San Siro. Shkodrani ishte i pakalueshëm me Eder dhe më pas Perisic që e kishin të vështirë të fitonin duelet me të. 6.5 ishte nota që i vendosën mediat italiane, Hysajt i cili po zhvillon një sezon të shkëlqyer me Napolin. Të Premten në mbrëmje Etrit Berisha, me ndërhyrjet e tij bëri gjithashtu një paraqitje super duke ndihmuar Atalantën të merrte një barazim 2-2 në Bergamo ndaj Juventusit. Portieri titullar i kombëtares shqiptare ishte gjithmonë në lartësinë e duhur dhe për më tepër nuk kishte asnjë faj në 2 golat e realizuar nga bardhezinjtë.Me pak fjalë në Itali ishte fundjava e Strakoshës, Berishës dhe Hysajt.