“Kartelën mjekësore të vogëlushit e ka sekuestruar Prokuroria e Durrësit”,- pohoi në një lidhje telefonike shefi i pediatrisë Fatmir Shahini.
Mjeku sqaroi edhe rrethanat e vdekjes së vogëlushit 15-muajsh që humbi jetën sot.
Sipas tij prindërit e kanë sjellë fëmijën më datë 27 dhe fëmija ka paraqitur një virozë të lehtë, dhe temperaturë 37.2 gradë celsius. Mjeku i urgjencës u ka thënë pindërve që vetëm nëse fëmija do të përkeqësohej ta sillnin sërish në spital të nesërmen.
Të nesërmen më datë 28 mars prindërit e kanë sjellë vogëlushin në pediatri, me temperaturë 37, 6 gradë. Mjeku ka pretenduar shtrimin e vogëlushit dhe i kanë bërë analizat dhe ekzaminimet e duhura. Nga kryerja e ekos mjeku ka vërejtur një anomali të lindur në tubin që lidh veshkën me vezikën urinare.
Tubi ishte i enjtur shumë mbi normën e lejuar, që mund të ndodhë ose si pasojë e një anomalie kur ka lindur, ose si rezultat i një guri në veshka.
Pas konstatimit mjeku vendosi që fëmija të dërgohej në pediatrinë e Tiranës për mjekim të specializuar apo ndërhyrje kirurgjikale. Fëmija është dërguar në Tiranë ku iu nënshtua analizave specifike. Mjekët kishin vendosur ta trajtonin me medikamente para se t’i nënshtrohej një operacioni në tubin urinar për t’i shpëtuar veshkën e cila i rrezikohej nga infeksioni. Por jeta e vogëlushit është ndërprerë pas 7 orësh pasi gjendja e tij u rëndua dhe zemra e tij e vogël pushoi së rrahuri. Mjekët konstatuan se infeksioni urinar kishte përfunduar në mëlçi, duke mos lejuar trajtimin e vogëlushit. Sipas mjekëve dyshohet që anomalia e lindur në veshka, është ndikuar nga viroza, duke bërë që të shpërthejë në fomë agresive infeksionin urinar. Këto raste nga viroza përfundojnë në infeksion agresiv me pasojë vdekjen e fëmijëve.
“40 deri 60 % të rasteve përfundojnë në vdekje, nëse fëmija nuk është ekzaminuar. Kjo sëmundje ekzaminohet me një kontroll të thjeshtë eko. Por prindërit i neglizhojnë kontrollet periodike jo vetëm të fëmijëve dhe anomalitë e lindura nuk zbulohen në kohë”,- tha midis të tjerash mjeku Fatmir Shahini.
K.H.





