Në mbarë botën, 1 Maji simbolizon ditën e punëtorëve të cilët kërkojnë më shumë të drejta e mirëqenie për ta. Kudo zhvillohen tubime e protesta për punë, rritje të kushteve të punës, të pagës, etj.

Por në Shqipëri, klasa punëtore është shumë e kënaqur me të gjitha ato që ka arritur deri tani.

Shqiptarët, e këtu nuk bëjnë dallim as durrsakët, kanë paga të larta, kushte të mira pune, nuk vuajnë as nga papunësia e nuk kanë asnjë problem me punëmarrësit. Aq shumë të kënaqur e të lumtur janë, sa çdo 1 Maj dalin e festojnë në rrugët e Durrësit.

Me fëmijët përdore, prindërit në rrugët e Durrësit kanë dalë shëtitje, i kanë çuar nga lodrat, janë argëtuar ata që kanë mundësi ekonomike, dhe e më pas janë kthyer në shtëpitë e tyre, pasi kanë ngrënë edhe nga një akullore.

Rrugët kanë qenë plot me njerëz, aq sa festa e punëtorëve “1 Maji”, në dukje paraqet një qytet ku askush në asnjë familje nuk ka asnjë problem ekonomik apo social. Njerëz të lumtur dalin e shëtisin rrugëve, por vetëm pak prej tyre i çojnë fëmiëjt te lodrat.

Në këtë qytet nuk ka asnjë sindikatë reale, nuk ka asnjë kryetar sindikate, as opozitë, asgjë, që të mund të heqë koracën e problemeve dhe shqetësimeve qytetare.

K.H.