Nga Milena Harito

Partneri im më thotë që së shpejti do të ketë një sekretare të re e cila quhet Maya.

Maya, Maya emri tingëllon mjaftueshëm që unë të jem xheloze, sigurisht. Ç’ngjyrë i ka sytë Maya?

Mund të zgjedh, thotë ai. Po flokët Maya? Të gjitha opsionet janë të mundshme, thotë ai.

E ç’është kjo? Një agjenci që rekruton sekretare, pastaj iu lyen flokët si do ti? Dhe iu vë lente me ngjyrën e syve që preferon ti?

Aha këtë herë je larg, gjegjet ai. Si me ngazëllim mu duk.

Maya është perfekte, mban shënime, porosit darkën, mbikëqyr edhe shtëpinë kur nuk jemi aty. Madje ka edhe një cilësi të rrallë, të heq çdo mundësi të bëhesh xheloze. Jo sepse papritur u mençurove ti, por sepse Maya është robot.

Edhe miku ynë kirurg, Paul, ka marrë një asistent në sallën e operacionit. Da Vinci do ta asistojë për xhestet kirurgjikale më të vështira dhe më precize, madje i mundëson të operojë një pacient në distancë, në një fshat të largët. Ndërsa për diagnozat e vështira e të rralla ai pyet Watson, i cili konsulton çdo rast të ngjashëm në botë dhe i përcakton kurën më të përshtatshme.

Fredi, pronari i uzinës thotë që po shpëton nga grevat, me robotin-punëtor Baxter – i cili jo vetëm punon 24 orë por është në gjendje të mësojë procese të reja pune, nëse një njeri ia shpjegon.

Ja dhe një zanat i ri: mësues për robotët.

Ndërsa marina amerikane ka zhvilluar Safirin, roboti-zjarrfikës, i cili në mënyrë autonome ndërhyn në situata të rrezikshme për njeriun.

Ndërkohë Moley është i pari robot-kuzhinier të cilin e komandon nga një smartfon dhe gatuan padyshim më mirë sesa unë! Sepse i zbaton recetat me përpikmëri, pa e humbur durimin, siç më ndodh rëndom.

Atlasi-shërbyes kryen plot punë shtëpie ndërsa Sam-muratori mund të vendosë  deri 1000 tulla në orë duke plotësuar nevojat në sektorin e ndërtimit.

Bash në këtë moment 30 mijë robotë Kiva-magazinierë punojnë aktualisht në magazinat gjigande të Amazon-ës për të dërguar produkte në të gjithë botën.

Po kështu makina pa shofer është një robot-shofer, roboti-infermier ndihmon në punët e rënda me të sëmurët të cilët nuk janë më autonomë.

E gjitha kjo nuk është fantashkencë, është realitet sot, robotë  të cilët pritet të kalojnë nga eksperimenti në prodhim masiv.

Për ata që nuk e besojnë mjafton të kujtojmë një fakt historik. Kur u masivizua përdorimi i frigoriferëve dhe lavatriçeve, vetëm në shtetin e New York-ut dolën 3 milionë vetë pa punë, të gjithë ata që merreshin me pazaret dhe gatimin e përditshëm dhe larjen e rrobave.

Por sigurisht u krijuan miliona vende të tjera, të cilat kërkonin më shumë shkollim, për të përballuar një botë më komplekse dhe më të sofistikuar.

What a wonderful world ! Dëgjohemi javën tjetër.

/Tiranapost.al/