Hetimet e prokurorisë dhe policisë së Durrësit zbardhin faktin se gjatë gjithë kohës që ishte në kërkim, ish-shefi i krimeve Ervin Dalipaj, i vrarë në Sukth pak ditë më parë, ka qëndruar në zonën e Durrësit.
Dyshohet se ish-zyrtari i policisë, “është ndihmuar” apo “ka pasur më shumë besim” tek strukturat e policisë në qytetin bregdetar ku lëvizte lirisht dhe me armë me vete edhe pse ishte në kërkim, shkruan “Panorama”.
“Nga hetimet e kryera dhe dëshmitë e marra pas vrasjes së dy personave, rezulton se Ervin Dalipaj në shumicën e kohës ka qenë në Durrës ku lëvizte me automjete të ndryshme jo në emër të tij”, tha një burim nga grupi i hetimit.
Hetuesit kanë kërkuar të verifikojnë edhe tabulatet telefonike të Ervin Dalipajt, në dy numra që ai ka përdorur të cilët nuk rezultojnë se kanë qenë në emër të tij.
Verifikime po bëhen edhe për tabulatet e kontaktet e shtetasit Xhino Dautaj, i cili rezulton të ketë hyrë në Shqipëri vetëm pak javë para se të vritej në të njëjtën makinë me ish-zyrtarin e lartë të policisë.
Ndërkohë nga marrja në pyetje e disa personave me lidhje të afërta me të dy viktimat është mësuar se Xhino Dautaj prej kohësh ruhej me eskortë, me dy mjete shoqëruese.
Tv Klan ka mundur të mësojë se ditën e ngjarjes, Dautaj nuk ka lëvizur i mbrojtur. Kjo gjë sipas hetuesve është pikasur nga atentatorët, të cilët kanë organizuar vrasjen.





