Më 27-28 maj 2021, Fakulteti i Biznesit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës zhvillon konferencën ndërkombëtare shkencore me temë “Economic Policy & EU Integration”, një aktivitet shkencor ky i përvitshëm dhe njëkohësisht aktiviteti më i rëndësishëm shkencor që Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës zhvillon.

Këtë vit zhvillohet edicioni i njëmbëdhjetë i konferencës. Gjatë dy ditëve të punimeve të konferencës do të prezantohen rreth 100 studime nga mbi 160 autorë dhe bashkëautorë të ndryshëm.

Dekani i Fakultetit të Biznesit në UAMD, Shkëlqim Fortuzi thotë se krahas autorëve nga vendi, pjesëmarrës në konferencë janë edhe studiues nga Bullgaria, Estonia, Gjermania, Italia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Polonia dhe Rumania.

Studimet që do të prezantohen në konferencë janë të ndara në sesione dhe secili sesion përfaqëson një tematikë të caktuar, si: ndikimi i pandemisë së COVID-19 në ekonomi, menaxhimi i marketingut, institucionet financiare dhe auditimi, sfidat e së ardhmes, prirjet bashkëkohore të kërkimit shkencor, novacioni, turizmi dhe zhvillimi i qëndrueshëm, zhvillimi sektorial dhe politikat ekonomike, ndikimi i pandemisë së COVID-19, si edhe sistemet tatimore dhe integrimi në Bashkimin Evropian.

Vështirësitë e krijuara nga pandemia e COVID-19 janë pa dyshim një arsye e fortë për të marrë pjesë në një forum të tillë, siç është konferenca ndërkombëtare shkencore e Fakultetit të Biznesit, ku mjaft prej studimeve diskutojnë qasjet për kapërcimin e krizës së shkaktuar.

Në fakt, ndikimi i pandemisë së COVID-19 në ekonominë e vendit tonë dhe të vendeve të tjera, kriza që ka shkaktuar dhe shtrirja e saj në ekonomi dhe shoqëri, si edhe rrugëdaljet afatshkurtra dhe afatgjata nga kriza përbëjnë boshtin më të rëndësishëm të konferencës ndërkombëtare shkencore të Fakultetit të Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Debatimi dhe krahasimi i ideve nga studiues të shumtë vendas dhe të huaj, si edhe i qasjeve të ndryshme për përballimin dhe daljen nga kriza, do t’i shërbejë krijimit dhe konsolidimit të mendimit shkencor, si edhe përmbushjes së misionit që sfera universitare akademike ka, në këtë rast Fakulteti i Biznesit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, për të nxitur zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit tonë.

Konferenca ndërkombëtare shkencore e Fakultetit të Biznesit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit organizohet në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro” të Barit në Itali, Universitetin Bujqësor të Nitras në Slloveni, Universitetin e Ekonomisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Sofjes në Bullgari, Universitetin e Prishtinës në Kosovë, Universitetin e Koxhaelisë në Turqi dhe Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Bielefeldit në Gjermani.

Gjithashtu, vijon të ruhet bashkëpunimi edhe me Qendrën Kërkimore të Biznesit Botëror, Ekonomisë, Zhvillimit Ndërkombëtar dhe Lëvizjeve Shoqërore në Francë dhe me Shoqatën e Universiteteve të Evropës Juglindore dhe të Rajonit të Detit të Zi.

Për t’iu përshtatur kushteve të sigurisë që pandemia e COVID-19 imponon, dy sesione do të zhvillohen në mjediset e kampusit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit në Spitallë dhe tetë sesione do të zhvillohen on-line më ndihmën e mjeteve të komunikimit elektronik.