Jeta e tij i ngjan një krimineli përsëritës të rëndomtë dhe do të ishte parkuar nga drejtësia në burgjet angleze nëse shumë prej episodeve nuk do të kishin ndodhur në sportin që e shpikën dhe e duan aq shumë në ishull.Por gjithçka ka një limit dhe këtë herë lojtari më i mirë i vitit për ekipin e Bërnlit, tani do të vuajë një pezullim afatgjatë.Joey Barton ishte arkitekti i ringjitjes së Bërnlit në elitën e futbollit anglez, por mesfushori kontrovers tani do ta paguajë shtrenjtë varësinë e tij ndaj basteve sportive.Ai është dënuar me 18 muaj pezullim për thyerjen e rregullave, praktikisht karrierë e mbyllur për një talent që asnjëherë nuk arriti të shpërthente.
'Djali i keq' i futbollit anglez ka vënë baste në 1260 ndeshje në një periudhë 10 vjeçare edhe pse vetë protagonisti nënvizon se nuk bëhet fjalë për trukime, por varësi ndaj një vesi, për të cilën kishte dhe një raport mjekësor.Jeta e Joey Barton ka qenë e mbushur me incidente dhe arrestime, me më të bujshmet për një agresion në qytetin e Liverpul dhe për sulmin ndaj ish-shokut të ekipit Osman Dabo', gjithçka për një stërvitje. Për këto akuza penale ai ka vuajtur dhe dënim me burg.