Felipe Melo do të hyjë në histori si një nga futbollistët më të pandreqshëm të dekadave të fundit. Mesfushori brazilian, i cili është shquar gjatë karrierës për veprime të nxituara në fushën e lojës, dje ka dhuruar një tjetër “perlë” nga repertori i tij.Në fund të ndeshjes së Kupës Libertadore, Penarol-Palmeiras, të fituar me shifrat 3-2 nga ekipi brazilian, Melo filloi një zënkë me rivalët. Fillimisht ai shtyu kundërshtarët dhe më pas goditi me grusht Matias Mier të Penarol.

U desh ndërhyrja e forcave të rendit për të mbrojtur ish-lojtarin e Juventus dhe Inter nga futbollistët vendas që kërkonin hakmarrjen ndërsa situata përshkallëzoi edhe me tentativën e tifozëve të Penarol për të hyrë në fushë dhe për të larë hesapet me ish-futbollistin e kombëtares së Brazilit.