Qëllohet me breshëri arme ndaj një banese në Manëz të Durrësit.

Sipas informacioneve paraprake të policisë, ngjarja është regjistruar pas mesnate, rreth orës 00:35 në fshatin Shkallë, në banesën e shtetasit E.T. 39 vjeç.

Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Autorët ende të paidentifikuar nga ana e policisë kanë shtënë 18 herë drejt shtëpisë së 39-vjeçarit. Policia bën me dije se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 18 gëzhoja.

Nuk dihet ende cili ka qenë synimi i autorëve që kanë shtënë me breshëri arme, thjesht për paralajmërim apo për të ekzekutuar 39-vjeçarin.

Ndërkohë grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.