Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako informoi përfaqësuesit e Misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit dhe oficerët ndërlidhës policorë në vendin tonë, mbi veprimtarinë e Policisë për tre mujorin e parë të vitit 2017, si dhe mbi masat e marra për parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe të trafikimit të bimëve narkotike.
Gjatë fjalës së tij Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako ka falenderuar të gjitha Misionet policore që asitojnë punën e Policisë Shqiptare për kontributin e tyre në rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe gjithashtu ka theksuar se prioritetet dhe objektivat për vitin 2017 janë në përputhje të plotë me direktivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Qeverisë Shqiptare duke intesifikuar luftën e përbashkët ndaj çdo veprimtarie të paligjshme në vend, ku prioritet kryesor është parandalimi i kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
“Jemi në një fazë shumë të rëndësishme të rritjes së intesitetit për luftën kundër kultivimit në mënyrë të veçantë por edhe të trafikimit. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se këtë vit plani i veprimit ose synimi që ka Qeveria Shqiptare është minizimi në maksimum i fenomenit të kultivimit duke angazhuar dhe duke vënë në lëvizje të plotë të gjitha institucionet në vend. Vetë Policia e ka filluar punën, që në fillim të vitit me të gjitha kapacitetet e veta kontrolluese dhe investiguese . Për këtë qëllim jemi të vendosur për të bërë maksimumin dhe kemi kërkuar dhe mbështetjen dhe suportimin e të gjitha kapaciteteve të partnerëve dhe të misioneve tuaja. Kemi vazhduar kontaktet dhe takimet dhe jemi në rrugë të mbarë besoj në përshpejtimin të monitorimit nëpërmjet misionit të Interforzës dhe të Guardia di Finanzë-s”, u shpreh Çako.
Përfaqësuesit e Misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit dhe oficerët ndërlidhës policorë në vendin tonë, gjatë fjalës së tyre kanë theksuar se standardi i vendosur vitin e kaluar dhe këtë vit për të komunikuar dhe për tu informuar është shumë i rëndësishëm dhe i shërben rritjes së besueshmërisë dhe bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Policive partnere.





