18 persona janë shoqëruar nga policia e Durrësit në lidhje me atentatin e një dite më parë në Sukth, ku mbetën të vrarë ish-shefi i Krimit Ekonomik Ervin Dalipaj dhe shoku i tij Xhino Dauti.
Në një njoftim për shtyp të shpërndarë këtë paradite, Policia e Durrësit bën me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur në 32 copë gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm; një predhë bërthame. Ndërsa në pjesën e brendshme të automjetit “Audit S8” ku udhëtonin viktimat, u gjetën një armë zjarri pistoletë model 54, 15 fishekë, disa aparate telefoni celularë të markave të ndryshme si dhe një sasi prerje në valutë të huaja(euro).
Zyrtarisht policia nuk jep shifrën e skatë të sasisë së oparave të gjetur, por burimet policore pohohjnë për “DurrësLajm” se janë gjetur 7000 euro në total, 5000 në portofolin e Dalipajt dhe 2000 euro në portofolin e 27-vjeçarit Dautaj.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët e Sektorit kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi:
Më datë 25.04.2017, rreth orës 13:40, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të vendit të quajtur “Mbikalimi i Sukthit”, në automjetin tip Audi S8, janë gjetur të vrarë me armë zjarri shtetasit Ervin Dalipaj 38 vjeç, banues në Tiranë, (i shpallur në kërkim për veprën penale të “Rrëmbimit të Personit”) dhe Xhino Dauti 27 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për vrasje).
Më të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje shkuan Efektivet e Policisë, të cilët këqyrën vendin e ngjarjes, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
• 32 copë gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm;
• një predhë bërthame;
• në pjesën e brendshme të automjetit Audi S8 u gjetën një armë zjarri pistoletë model 54, 15 fishekë, disa aparate telefoni celularë të markave të ndryshme si dhe një sasi prerje në valutë të huaja (euro).
Nga ana e uniformave blu janë shoqëruar 18 persona, me qëllim zbardhjen dhe zbulimin e plotë të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit ” parashikuar në nenet 79/dh dhe 278 të Kodit Penal.





