Vjollca Arapi, bashkëshortja e 60-vjeçarit të vrarë Agim Arapit, shprehu shqetësimin e saj për DurrësLajm, se në gjendjen civile nuk mund të çregjistrojë bashkëshortin e saj, për shkak se mjeku ligjor nuk ka përcaktuar vendin e vdekjes së bashkëshortit të vrarë mbrëmjen e 11 prillit.

”Ku vdiq im shoq? Në rrugë, në dyqan, në spital, në morg vajti i vdekur? Pse nuk e përcaktojnë vendin ku vdiq? Çfarë duan të fshehin pas kësaj? Ai ka vdekur dhe duhet ta përcaktojnë se kështu si i ka dhënë eksperti mjeko ligjor çertifikatat e vdekjes, as gjendja civile nuk e çregjistron”,thotë Vjollca Arapi.

Me dy çertifikata të ndryshme, të nxjerra nga mjekët ligjorë në Durrës, 58-vjeçarja hedh akuza të drejtpërdrejta në drejtim të  manipulimit, që sipas saj po i bëhet vdekjes së bashkëshortit, dy javë më parë.

“Çertifikata e parë e vdekjes me pasoja që nuk dihen akoma, çertifikata e dytë vrasje. Kë të marrim për bazë? Të parën apo të dytën? I bëj apel ministrit të Drejtësisë dhe të Shëndetësisë, që të shikojnë rastin tim, sepse personi që e vrau tim shoq është jashtë dhe ai është Jurgen Kurti”apelon zonja Arapi,.

Sipas bashkëshortes së viktimës ngjarja po deformohet me qëllim për të përfituar autorët. Eksperti mjeko-ligjor ka plotësuar dy skeda vdekje: njëra ku përcaktohet shkaku i vdekjes dhe tjetra ku thuhet se nuk dihen shkaqet. Kjo e dyta, sipas saj, ka bërë që Jurgen Kurti të lirohet.

Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 11.04.2017, rreth orës 19:55 në lagjen Nr.1 Durrës, Bulevardi "Epidam", në një dyqan ushqimor. Pas një konflikt për motive të dobëta, vëllezërit Kujtim dhe Konstandin Ekonomi sulmuan me grushta dhe sende të forta shtetasi Agim Arapi, 60 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas Policisë, palët janë konfliktuar me njëri- tjetrin me sende të forta dhe për motive të dobëta (për një tub aspirimi).

K.H.