Kopshti Pestalozzi Foundation është shtëpia më e bukur që mund të ketë një fëmijë. Ai ndodhet brenda stadiumit “Mellerntor”, stadiumi me 29,546 vende që është shtëpia e F.C.St. Pauli. Që prej vitit 2010, Pestalozzi Foundation ka operuar nga brenda stadiumit – po po, brenda, jo pranë apo përballë rrugës – duke i ofruar familjeve një shërbim unik në botë për sa i përket edukimit të fëmijës. Kopshti huazon fushën, tunelet dhe tarracën e stadiumit për aktivitete grupi. Lojtarët e klubit kalojnë ndonjëherë për t’i lexuar tregime fëmijëve.
Mësuesit e përdorin tribunën kryesore si një dhomë të madhe mbledhjesh. Dhe kur ka ndeshje, prindërit i bashkohen fëmijëve për të pasur një pamje ekskluzive të ndeshjes. Kopshti u konceptua tetë vite më parë, kur St. Pauli ishte duke rinovuar stadiumin. Kishte vend për të ndërtuar në cepin jugor. “Përgjegjësia sociale e klubit për njerëzit që jetojnë në St. Pauli është një çështje shumë e rëndësishme dhe pjesë e ADN-së sonë,” shprehet Christoph Pieper, zëdhënësi i klubit, dy fëmijët e të cilit janë pjesë e kopshtit. Lagjet e St. Paulit janë një zonë e klasës punëtore, e njohur për muzikën dhe distriktin e dritave të kuqe. Logo e ekipit që përmban një kafkë është shumë i njohur në atë zonë, dhe madje një pjesë e kulturës së vendit. Ideja e kopshtit brenda në stadium ishte diçka që u pëlqye menjëherë nga prindërit e zonës. Në këtë kopsht, koret e futbollit janë të përfshira në programin e mësimit.