Pas humbjes së thellë ndaj Partizanit, një tjetër lajm i keq vjen për skuadrën e Teutës, para ndeshjes me Flamurtarin. Mesfushori Bledar Hodo i është nënshtruar një operacioni në gju, për shkak se ka pasur shqetësime kohët e fundit. Për këtë arsye, ai ka humbur këtë sezon futbollistik, duke qenë se faza e rikuperimit do të jetë relativisht e gjatë.Hodo ishte një nga lojtarët me eksperiencë në skuadrën e Maganit dhe mungesa e tij do të ndihet në skuadër në ndeshjet e mbetura të sezonit. Megjithatë, një lajm i mirë vjen për Kotobellin, i cili do të rikthehet në fushë sfidën e radhës, pasi mungoi në takimin me të kuqtë i pezulluar për shkaqe kartonësh.
Në pozicionin e tij ka luajtur Borshi, por ndaj një rivali të drejtpërdrejtë në garën për mbijetesë, organika duhet e plotë.Durrsakët duhet të marrin me çdo kusht fitoren në ndeshjen që do të luajnë në shtëpi, pasi vlonjatët janë vetëm një pikë më pak se ata. Gjithsesi, një rezultat pozitiv në këtë sfidë i favorizon ata, pasi luajnë ndaj Korabit tashmë të rënë nga Superiorja dhe trepikëshi konsiderohet i sigurt.Megjithatë, kampionati ka hyrë në një fazë ku nuk mund të bësh parashikime dhe, për këtë arsye, trajneri Magani do të kërkojë nga futbollistët e tij përqendrim maksimal në ndeshjet e ardhshme. Pritet që të ketë edhe një analizë për ndeshjen e humbur ndaj të kuqve në transfertë. Do të mbetet për t’u parë qëndrimi që do të mbajë trajneri Magani në drejtim të futbollistëve të tij, por parashikohet që edhe kritikat të mos mungojnë.