Fundjava futbollistike në Europë foli qartë duke hedhur piketat për vendimet finale të sezonit, por në krahun tjetër rihapi edhe disa çështje të vjetra në Spanjë. Është pikërisht La Liga me El Clasicon që tërhoqi vëmendjen më të madhe me një ndeshje që premtonte jo vetëm spektakël por vendoste edhe fatin e kampionatit spanjoll. Barcelona pas një serie rezultatesh jo të kënaqshme që kulmuan me eliminimin nga Champions League ndërsa Reali me humorin në maksimum u drejtuan në “Santiago Bernabeu” për aktin e dytë sezona që rezultoi mbrëmja e Lionel Messit. 500 gola me fanellën e Barcelonës dhe për më tepër ai i fitores në prekjen e fundit.
Argjentinasi rrëmbeu vëmendjen më të madhe duke lënë në hije suksesin e skuadrës së Luis Enriques që gjithsesi është rikthyer me prepotencë në garën për titullin. Vendi i parë për skuadrën blaugrana dhe një bonus i madh morali në betejën për titullin edhe pse “Los Blancos” duhet të luajnë një ndeshje më shumë në transfertën e Vigos. El Clasico i dytë sezonal nuk zbriti asnjëherë poshtë pritshmërive duke dhuruar emocione deri në sekondat e fundit me 5 gola, 1 karton të kuq dhe rokadë në rezultat pasi skuadra e Zidane nisi gjithçka mirë duke e futur ndeshjen në shinat e duhura madje mund të kishte zgjedhur edhe barazimin në sekondat e fundit për të vendosur një gurë të fortë në betejën e titullit, por zgjodhi të kërkonte fitoren duke lejuar hapësira të mëdha që në sekondat e fundit rezultuan fatale.
Pas Javës së 32, të pakta janë çështjet që mbeten pezull në Gadishullin Iberik me Real Sociedad dhe Athletic Bilbao në derbin bask për biletën e fundit Europiane, ndërsa beteja për mbijetesë po qartësohet edhe më shumë me Osasunan, Granadan dhe Sporting Gijon me një këmbë në kategorinë e dytë. Në Angli fundjava u fokusua kryesisht te FA Cup me Chelsean dhe Aresnalin që do të rivalizojnë njëra tjetrën për trofeun e dytë sezonal. Skuadra e Contes theu 4-2 Tottenhamin për të siguruar një tjetër finale sezoni drithëruese, ndërsa Arsenali i dha një leksion Manchester City duke fituar 2-1 në kohën shtesë. Një humbje e hidhur për trajnerin Pep Guardiola që do ta mbyllë sezonin e parë tek “Citizens” pa asnjë trofe. Në kampionat, Manchester United rikuperoi terren me një fitore 2-0 në Burnley që mban në lojë skuadrën e Jose Mourinhos për vendin e katërt. Nga Anglia në Itali aty ku Juventusi shtypi edhe Genoan 4-0 për të hedhur një hap të madh drejt titullit të 6 rresht. Skuadra e Allegrit u shfaq thjesht perfekte në sfidën e Torinos me një fitore të lehtë që mund ta bëjë të festojë përpara kohe titullin dhe më pas të përqëndrohet në Champions League dhe finalen e Kupës së Italisë.
Kjo fundjavë penalizoi dy skuadrat milaneze që mesa duket janë shkëputur përfundimisht nga vallja e zonës europiane, ndërsa Lazio dhe Atalanta përvijohen në Europa League. Në Gjermani, Bayerni i Mynihut hodhi një hap fals pas barazimit 2-2 në “Allianz Arena” ndaj Mainzit. Një ndeshje dukshëm e ndikuar nga ai eliminim i dhimbshëm në Champions League por që gjithsesi nuk i prish planet e skuadrës së Ancelottit me një dorë tek titulli kampion pas barazimit të Leipzig në transfertën e Genselkirchen. Një tjetër kampionat që duket se u mbyll këtë fundjavë është edhe ai në Holandë ku Feynoord theu Vitessen në transfertë dhe përfitoi nga humbja e Ajaxit në klasiken me PSV Eindhoven. Skuadra nga Rotterdami është shumë pranë titullit që në qytetin port mungon prej më shumë se një dekade pasiu diferenca me harkëtarët tashmë është zgjeruar në 4 pikë. NUk munguan emocionet as në Francë ku Monaco fitoi ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, atë në transfertën e Lyonit për t’u rikthyer në vendin e parë me pikë të barabarta me PSG por me një ndeshje më pak që e avntazhon dukshëm skuadrën e Leonardo Jardim e cila mbetet favorite në garën për titullin kampion.