Versionet digjitale të mediave më të rëndësishme në botë pajtohen në një pikë, se “El Clasico” e së dielës u përcaktua nga veprimet e yllit argjentinas, i cili bëri të heshtë “Bernabeun”.
“Olé.com” shkruan: “Çfarë fitoreje e Messit! Dy gola të pabesueshëm, pas driblimeve si birrila të kundërshtarëve dhe goditjeve vdekjeprurëse nga jashtë zone. Me këtë rezultat, Leo e ka ngjitur Barcelonën, bashkë me Real Madridin, në krye të La Liga.”
“Globosporte” vazhdon: “Mrekullia Messi! Me një tjetër performancë të shkëlqyer nga pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Barcelona ishte më e mirë se Real Madridi dhe e fitoi (2-3) “El Clasico” spanjolle. Një superndeshje mbresëlënëse. Një klasike, që nxori humbës Realin dhe Casemiro. Por, nga ana tjetër, Messi ishte i papërmbajtshëm. Shënoi dy gola në “Bernabeu”, duke arritur kuotën e 500 golave në ndeshje zyrtare me klubin katalanas. “Santiago Bernabeu” nën këmbët e tij. Rakitic dhe James Rodríguez shënuan golat e tjerë të ndeshjes. Sergio Ramos u dërgua jashtë, me karton të kuq, në pjesën e dytë.”
“ESPN” ka komentin e vet: “Legjenda Messi i jep emrin e vet “El Clasico” dhe nxjerr fitimtare Barcelonën. Ylli argjentinas shënoi dy nga golat e fitores, u ngjit në kuotën e 500 golave zyrtarë me Barcelonën, duke mundur kështu Real Madridin. Po ashtu, Messi dëboi nga fusha me karton të kuq Sergio Ramos. Bëri të heshtë “Santiago Bernabéu”.
“L’Equipe” flet për rilindje të skuadrës katalanase: “Barcelona është rilindur në kampionat. “El Clasico” ishte shansi i fundit për Blaugranat, që mbajnë gjallë ëndrrën e tyre për të fituar La Liga-n edhe në vitin 2017.. Casemiro dhe Marcelo duhej të dëboheshin me kartonë të kuq. Portierët ishin të mëdhenj me pritjet e tyre dhe kjo ishte nata e tyre e madhe. E eliminuar nga Champions-i, Barcelona ende nuk ka vdekur në kampionatin spanjoll. Mesi, një shenjt!”
“La Gazzetta dello Sport” thotë se kampionati spanjoll u rihap: “Barcelona fiton “El Clasico” dhe rihap betejën e titullit në La Liga. Katalanasit reagojnë si duhet pas eliminimit nga Liga e Kampionëve dhe konfirmojnë ambiciet e tyre në kampionat në sajë të kryeveprës “Messi”. “Los Blancos” paguan gabimet e shumta në fazën përfundimtare të aksioneve dhe dëbimin me karton të kuq të kapitenit Ramos, protagonist i një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Messit. Pesë ndeshjet e fundit të La Liga do të jenë të ethshme për titullin.”
“Dailymail” shton: “Messi shënon golin e tij të 500-të me Barcelonën, duke arritur një sukses të goditur në garën për titullin e kampionit në Spanjë. E goditën, e gjakosën, por nuk e ndalën dot. Lionel Messi i ka dhënë tri pikë Barcelonës në Santiago Bernabeu, në një fitore dramatike që mban gjallë shanset e katalanasve për të fituar La Liga-n. Kishte frikë në Barcelonë, se mos dilnin jashtë edhe nga beteja për titull, por Messi kishte qëllime të tjera. Lojtarët e Real Madridit u gjunjëzuan në shtëpi, ndërsa ata të Barcelonës vrapuan drejt njeriut, i cili e kishte fituar lojën i vetëm.”